Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, do të inaugurojnë të shtunë fillimin e punimeve në ndërtimin e rrugës nga Dragashi për në pikë kufitare me Shqipërinë – Shishtavec.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës, Mustafa e Zharku me këtë rast do të inspektojnë, gjithashtu, punimet në vazhdimin e ndërtimit të rrugës Jabllanicë – Zaplluxhë.
Projekti rrugor Dragash – Shishtavec do të ketë një gjatësi prej 1400 metrash, gjerësi prej 6 metrash, ndërsa kosto e këtij projekti do të jetë 200 000 euro. Sipas planit dinamik, punimet parashihet të përfundojnë brenda 55 ditë pune, sqaron MI.
Ndërsa vazhdimi i rrugës Jabllanicë – Zaplluxhë do të ketë një gjatësi prej 8600 metrash, gjerësi prej 6 metrash, me një kosto prej 751 693 eurosh. Punimet në këtë segment rrugor parashihet të përfundojnë brenda 180 ditë pune.
Ministria e Infrastrukturës njofton se sivjet do të investojë edhe në realizimin e dy projekte të tjera kapitale, ndërtimin e rrugës Brezne-Trokan-Brrut dhe rehabilitimin e rrugës Xërxë-Pllajnik.