Vendimin e Gjykatës Supreme për 4 mijë e 639 vota të ardhura me vonesë nga diaspora, koalicioni Nisma-AKR-PD, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithëse që nga shpallja e rezultateve preliminare, koalicioni ka mbetur pezull në prag, ankesa, sipas përfaqësuesve të partive nga ky koalicion, nuk lidhet me frikën nga mbetja jashtë kuvendit, raporton KTV.
Vesel Makolli, sekretar i AKR-së, ka thënë se ankesa ka të bëjë më shumë me respektimin e ligjeve ekzistuese.
“Nuk është kjo që frikohemi se nuk po e kalojmë pragun se ne veç jemi brenda. Diku 30 vota kanë qenë, ato që kanë qenë në fillim kur janë anuluar votat nga Serbia. Ajo diferencë ka mbetur, pra nuk është problem për kalimin e pragut. Por, në njëfarë forme, për shkaqe parimore. Çdo votë që vjen nga jashtë, nëse nuk i plotëson konditat ligjore që janë të parapara, atëherë nuk do të ishte dashur të numërohet dhe në këtë drejtim, edhe ne kemi bërë ankesë”, ka thënë Makolli.
Pavarësisht ankesës në Kushtetuese, certifikimi i rezultateve, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk pengohet.
Ankesën e koalicionit, e ka lexuar edhe Mazllum Baraliu, ekspert kushtetues dhe ish-kryetar i KQZ-së dhe thotë se në këndvështrimin etik e politik, nuk mund t’i kontestohet legjitimiteti, por jo edhe në atë juridik-kushtetues.
Me zvarritjen e procesit, Baraliu thotë se po komprometohet edhe procesi, dhe sipas tij, kjo e tregon urgjencën për fillimin e reformave në sistemin zgjedhor.
Procesi i rinumërimit të më shumë se gjysmës së vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, është drejt fundit, për t’i hapur kështu rrugë certifikimit të rezultateve përfundimtare.