NISMA garon e vetme në zgjedhjet lokale

Prishtinë | 16 Gus 2017 | 15:14 | Nga

Nisma për Kosovën është në fazën përfundimtare të caktimit të kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale.

Zyrtarë të kësaj partie bëjnë të ditur se zyrtarizmi i kandidatëve do të bëhet brenda afateve të parapara.

Kjo parti, e cila në zgjedhjet e fundit nacionale ka qenë në koalicion parazgjedhor së bashku me AAK-në e PDK-në, në zgjedhjet komunale do të garojë e vetme.

Anëtarja e kryesisë së Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami ka thënë për lajmi.net se ata do të garojnë në të gjitha komunat. Bajrami ka bërë të ditur se janë duke punuar me të gjitha strukturat e partisë për të caktuar edhe emrat e kandidatëve më të cilët do të garojnë.

“Kryesia e Nismës për Kosovën tash më është duke i bërë përgatitjet për zgjedhjet e 22 tetorit. Ne jemi vazhdimisht në kontakt me degët dhe nëndegët tona dhe në afatin e paraparë do t’i publikojmë emrat edhe të kandidatëve për asamble por edhe të kandidatëve për Kryetar. Nisma për Kosovën do të marr pjese në këto zgjedhje në të gjitha komunat e vetme”, ka thënë Bajrami për lajmi.net.

Deri më tani kjo parti ka zyrtarizuar Zafir Berishën kandidat për kryetar të Prizrenit. Nisma për Kosovën aktualisht qeverisë në komunën e Malishevës me Ragip Begaj.

Zgjedhjet e rregullta lokale do të mbahen më 22 tetor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme