Sheshi “Shatërvan” në Prizren ishte vendtakimi i simpatizantëve të Nismës, të cilët kishin ardhur që të përkrahin subjektin e tyre në takimin përmbyllës në këtë qytet.
Kandidati për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, i ftoi qytetarët e Prizrenit që ta përkrahin Nismën, në mënyrë që “të mos lejojnë që Prizreni të menaxhohet nga njerëz të papërgjegjshëm nga Prishtina”.
Ai ndër të tjera premtoi investime në Prizren, lirimin e hapësirave të uzurpuara si dhe vënien para drejtësie të atyre që kanë dëmtuar urbanizmin e Prizrenit.
“Ne jemi shumë të vendosur që të gjitha hapësirat e uzurpuara nga banditët e lidhur me parapolitikën t;i lirojmë dhe ato t’iu kthehen qytetarëve”.
“Ju garantoj nga sheshi ‘Shatërvan’ se të gjithë ata që e kanë dëmtuar qytetin në fushën e urbanizmit do të përballen me drejtësinë. Ata nuk e kanë vendin nëpër institucione, por e kanë vendin aty ku e kanë hajdutët”, u shpreh Berisha.
“Jeni dëshmitarë që kemi një pasiguri në qytet. Unë ju garantoj se do të mbështes të gjitha projektet që ne të ndihemi të sigurt kudo që jetojmë, sepse duke krijuar një siguri në qytetin e Prizrenit ne krijojmë siguri për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe në krijojmë siguri për të gjithë ata që duan të investojnë”.
Limaj: Koha për ndryshim në Prizren
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se ka ardhur koha për ndryshim në Prizren. Ai ftoi që të gjithë qytetarët, pa dallim bindjeve politike, etnike e fetare që t’i bashkohen Nismës dhe ndryshimit në Prizren.
“Prizreni është në një moment të rëndësishëm politik e historik; në një moment ku duhet t’iu kthehet qytetarëve të vet. Qyteti i Prizrenit ka nevojë për rikthimin e kulturës, qyteti i Prizrenit ka nevojë t’i kthehet vlera e zejtarëve e artizanateve që kanë qenë krenaria e Prizrenit”.
“Qeverisjet e kaluara kanë pasur mundësinë për ta vlerësuar këtë qytet, t’ia ofrojnë stadiumin, kanë pasur mundësinë që t’i mbështesin zejtarët, por nuk e kanë bërë. Qeverisjet e kaluara kanë pasur mundësi ta ruajnë këtë qytet të bekuar nga mbindërtimet, por nuk e kanë bërë. Ata kërkojnë që të vazhdohet me këtë mënyrë. Qyteti i Prizrenit nuk kanë kohë për të humbur”.
“Koha është për Nismën, është për Zafir Berishën. Mos e lëshoni këtë mundësi. Lëvizjet e ndryshimit janë të mëdha. Besoj fort se në Prizren duhet të kalohen interesat partiake. Koha është që të bëhemi bashkë, të gjithë të jepni kontribut për ndryshim”, ka përfunduar Limaj.