Oferta e ish kandidatit të pavarur për kryetar të Drenasit Xhavit Drenori drejtuar dy kandidatëve të cilët do të garojnë në balotazh për kryetar të Drenasit, është e pranueshme për Nismën për Kosovën. Këtë e ka bërë të ditur, anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Shyqyri Bytiqi.
Ky i fundit, i cili është edhe pjesë e Shtabit Zgjedhor në Drenas ka thënë se pikat e propozuara nga Drenori janë të ngjashme me ato qe i ka shpalosur Nisma gjatë fushatës.
“Publikisht i përkrahim të gjitha pikat dhe ne jemi të gatshëm të pranojmë kushtet e Drenorit. Ato janë pika të pranueshme për neve dhe normal qe i pranojmë”, ka thënë Bytyqi për ‘Indeksonline’.
Bytyqi i ka bërë thirrje Drenorit qe të jetë pjesë e qeverisjes komunale në Drenas, nëse vlerëson se duhet të jetë pjesë e ndryshimit.
Se propozimi i tij nuk është kundërshtuar të partia e Fatmir Limajt e ka pranuar vet Xhavit Drenori. Ky i fundit ka thënë për ‘Indeksonline’, se vërehet një vullnet i mirë për nënshkrimin e këtij propozimi.
“Unë tash për tash nuk mund të them me saktësi se çka do të ndodhë, sepse mund të demantohet, por mund të them se vërehet një vullnet i mirë. Kemi pas një komunikim të mirë, por PDK me gjasë po dëshiron të negocioje më gjatë”, ka thënë Drenori.
Oferta e tij përmban gjashtë pika. Në këtë propozim ai nuk kërkon qe të jetë pjesë e qeverisjes, por qe nga cilësia e asambleistit të monitorojë mbarëvajtjen e marrëveshjes.
Drenori ka kushtëzuar dy partitë qe sot deri në ora 12:00, të pranojnë dhe të nënshkruajnë arritjen e kësaj marrëveshje.
Koalicioni NISMA-AAK një ditë më parë është zgjeruar, pasi atyre u është bashkuar edhe dega e AKR-së në Drenas.