NISMA tregon nëse janë vendosur emrat e ministrave të ardhshëm

Prishtinë | 06 Sht 2017 | 08:52 | Nga

Gjatë ditës së djeshme u nënshkrua koalicioni mes PAN-it dhe AKR-së. Ky koalicion, tashmë në vete numëron vota të mjaftueshme për formimin e qeverisë.

Me nënshkrimin e marrëveshjes nga liderët e partive pjesëmarrëse në koalicion, janë ndarë edhe dikasteret mes tyre.

Njërës prej partive pjesëmarrëse në koalicion, NISMA për Kosovën, si pjesë të marrëveshjes i janë ndarë tri ministri.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë ministritë që i takojnë NISMA-s nga kjo marrëveshje.

E ndonëse ministritë janë ndarë, NISMA ende nuk ka vendosur se kush do i udhëheqë këto ministri.

Kështu së paku tha për Indeksonline, ish deputetja e NISMA-s, Valdete Bajrami.

“Nisma për Kosovën ashtu siç jeni të njoftuar tash më do t’i ketë 3 ministri, ndërsa se kush do t’i drejtojë ato ende nuk është vendos. Në momentin që t’i kemi emrat do të njoftoheni me kohë”, tha Bajrami.

Edhe pse NISMA po shprehen të pavendosur sa i përket emrave udhëheqës të ministrive, gjatë ditës së djeshme në media kanë qarkulluar disa emra të mundshëm.

Në mesin e këtyre emrave është Bajram Hasani, Shyqyri Bytyçi, Shukrije Bytyçi dhe Valdete Bajrami.

Të ngjashme