Pas paralajmërimeve të LDK-së se do të kërkojë mocion të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, kësaj partie i duhen së paku 61 vota të deputetëve, ku i duhen edhe votat e opozitës.
Deputeti i Nisma Socialdemokrate, Endrit Shala, ka thënë për Ekonomia Online, se qasja e kësaj partie është e ditur por që nesër do të vendoset nëse do t’i japin votat për mocion.
“Qëndrimi i Nisma Socialdemokrate sa i përket kësaj qeverie tashmë është e ditur. Por nesër do të mbajmë mbledhje të Kryesisë dhe do të vendosim për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti. Nesër aty do të vendosim nëse do t’i japim votat për mocion të mosbesimit”, ka thënë shkurt Shala.
Tani, që partneri i koalicionit qeveritar, LDK-ja, ka paralajmëruar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, hapi i radhës është mbledhja e nënshkrimeve të deputetëve.
Sipas nenit 100, pika 1, të Kushtetutës së Kosovës, duhen firmat e 40 deputetëve që mocioni të shkojë për procedurë të mëtutjeshme në Kuvend.
LDK-ja numëron 28 deputetë në Kuvend.
Sipas pikës 3 të nenit 100 të Kushtetutës, mocioni i mosbesimit vihet në rend dite në Kuvend, jo më vonë se pesë ditë, e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit të tij.