Muharrem Nitaj, deputet i AAK-së, ka vërejtur se në kohën kur Qeverinë po e udhëheq Ramush Haradinaj, në skenën politike kanë dalë në numër më të madh tyxharët dhe matrapazët politikë.
Këtë konstatim Nitaj e ka dhënë kur ka komentuar mundësinë e rrëzimit të Qeverisë në prag të themelimit të ushtrisë dhe liberalizimit të vizave.
“Nuk e di nëse kanë lidhje apo jo, por ajo që di është se është rritur shumë numri i tuxharëve dhe matrapazëve në këtë tregun tonë politik”, ka thënë Nitaj, në një bisedë për Express.
Express: Çka është ka ndodh me raportet PDK-AAK në Qeveri. Pas Presidentit Thaçi, edhe Nënkryetari i PDK’së, Arsim Bajrami, përmendi zgjedhjet dhe rrëzimin e Qeverisë. Janë këto deklarata në funksion të përgatitjes së terrenit për rrëzimin e Qeverisë apo s’kanë kurrëfarë efekti?
Nitaj: Mendoj se duhet t’i pyesni ata se çfarë po provojnë të arrijnē me këto deklarata. Unë e di që Hashim Thaçi është president dhe nuk e ka tagrin të flasë as për koalicionin e as për zgjedhjet. Detyrat e tij, të paktën me Kushtetutë, janë disa të tjera!
Ndërkaq zotin Bajrami edhe mund ta kuptoj, sepse ai dështoi në zgjedhjet e shkuara dhe në stilin e atyre fëmijëve që e humbin lojën, kërkojnë që ajo edhe një herë të “nisë nga e para”!
Nuk ka asnjë problem në raportet midis AAK-së dhe PDK-së. Ne kemi një koalicion parazgjedhor që ka prodhuar këtë qeveri dhe ajo çfarë mund të them unë është se Qeveria sot është më e fortë se në ditën kur është zgjedhur. Nuk ka asnjë zhvillim negativ për sa i përket qëndrueshmërisë së saj.
Nuk mund të flasë për PDK-në, por nëse ata kanë plane të tjera, hair qoftë!
E di që deri në këtë moment ne (AAK), nuk i kemi luajt fjalët.
Express: Edhe zyrtarë të NISMA-s për Kosovën përfshirë udhëheqësit Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj e kërkuan dorëheqjen e Qeverisë. Ka sinkronizim të NISM-s me PDK-në për ta rrëzuar Haradinajn?
Nitaj: Nuk e kam dëgjuar Fatmir Limajn ta ketë thënë një gjë të tillë, ndërkaq Jakup Krasniqi gjithmonë flet si Jakupi dhe shumë si unë, janë pajtuar me këtë punë dhe nuk lë përshtypje.
Janë disa partnerë në këtë qeveri, që mund ta rrëzojnë vetëm veten e tyre. Një herë të vjen vera kah dera dhe në këtë qeveri disa partnerë morën hise, më shumë se sa që u takon! Dhe pikërisht këta partnerë, është mirë të mos abuzojnë me bujarinë e Ramush Haradinajt.
Express: Javëve të ardhshme dhe muajve të ardhshëm pritet të merren disa vendime, si për ushtrinë, siç pritet të ndodhë edhe liberalizimi. Kanë lidhje këto kërcënime për rrëzimin e Qeverisë me këto vendime që do të merren?
Nitaj: Nuk e di nëse kanë lidhje apo jo, por ajo që di është se është rritur shumë numri i tuxharëve dhe matrapazëve në këtë tregun tonë politik. Ka një kategori politikanësh që nuk i japin pesë pare as për ushtrinë, as për liberalizimin, as për shtetin dhe pikërisht këta të kallëzojnë si duhet Atdheu. Mjafton që atyre tu dalë hesapi. Kjo kategori njerëzish të falin gjithçka, veç suksesin nuk ta bëjnë hallall.
Express: A e konsideron AAK-ja edhe z. Haradinaj opsionin për rrëzimin e Qeverisë para se një gjë të tillë ta bëjnë të tjerët përfshirë Presidentin, PDK-në ose edhe opozita?
Nitaj: Nuk e kemi ndërmend t’i lëm punët në gjysmë e aq më pak ta marrim përgjegjësinë për këtë! Ne vlerësojmë se Qeveria po i kryen detyrat e shpisë, bile edhe ato që janë konservuar me vite. Ushtria, Interpoli, Liberalizimi…janë lëvizje që e kopsitin shtetin. Natyrisht se kundërshtarët e këtij shteti, nuk po rrijnë rehat dhe fronti kundërshtar nuk është aspak për tu neglizhuar.
Express: Si e sheh AAK rrugën deri te zgjedhjet. Favorizoni ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse politike apo e shihni vetëm mundësinë e zgjedhjeve bazuar në kalendarin ligjore të mandatit 4 vjeçar të Qeverisë?
Nitaj: Nuk i kemi zgjedhjet në rend dite. Ne besojmë se Kosova i ka përpara disa procese shumë të rëndësishme, të cilat i përmenda më sipër. E ka edhe betejën e fundit me Serbinë, për të cilën Haradinaj dhe të gjithë ne, po përpiqemi ta arrijmë një unitet, e jo të jemi “pikë e pesë”!
Zgjedhjet le të vijnë kurdo që vijnë, por nuk po shohim se interesimi i deklaruar për to, është real.