Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka thënë se çështjet e sigurisë sot janë shndërruar në çështje globale edhe për shtete shumë të fuqishme, të cilat janë liderë rajonalë e kontinentalë, e lere më për Kosovën e vogël.
Nitaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se barra më e madhe për sigurinë në Kosovë rëndon mbi supet e aleatëve.
“Sa herë që një çështje ordinere shndërrohet në problem sigurie, e kjo ka ndodhur shumë shpesh në këto dy vjetët e fundit, barra më e madhe u bjen aleatëve, sepse ata vazhdojnë të jenë garantët kryesorë të sigurisë në vend”, ka thënë ndër të tjera Nitaj.
Shkrimi i plotë:
Jemi të vegjel shumë për të ekzistuar të vetëm
Pse po sulmohet kaq ashpër Kryeministri se po i prish marrëdhëniet me partnerët strategjikë, posaçërisht SHBA.
Cila është narrativa e këtyre përplasjeve dhe çka i thuhet popullit dhe çka nuk i thuhet atij.
Pse ai ka zgjedhur një diskurs të çuditshëm të justifikimit të vendimeve të tij, duke e thënë vetëm gjysmën e të vërtetës.
Nisi atje e filloi, kur ai deklaronte se qytetarët serbë duhet t’i përdorin targat RKS, dhe kjo dukej aq normale sa që njerëzit me të drejtë e arsyetonin vendimin e tij. Por ai nuk tregonte se çeshtja e targave nuk ishte veç një masë ordinere administrative shtetërore dhe vendimi i pakoordinuar për targat, mund të shndërrohej në problem sigurie, siç edhe ndodhi.
Vendimi i pakoordinuar për to, reflektoi me largimin e serbëve nga institucionet dhe kjo ndoshta ishte përplasja e parë e tij me partnerët strategjikë të Kosovës.
Përplasja e tij e dytë me aletatët ishte menaxhimi i gjendjes së krijuar pas zgjedhjeve ne veri dhe ruajtja me polici e kryetarëve në objektet e komunave. Dhe po, s’ka njeri normal që nuk i mbështetë zgjedhjet në çdo cep të vendit, prandaj edhe krijohej përshtypja se kryeministri po vepronte drejtë. Por nuk thuhej se mbajtja e zgjedhjeve atje ku do t’i bojkotonin shumica e qytetarëve, sërish do të mund të shndërrohej në problem sigurie, siç edhe ndodhi. Qytetarët serbë, si gjithmonë të mbështetur nga regjimi në Serbi, e bënë hallakamë veriun dhe faji na u ngop neve.
Përplasja e tretë e madhe e kryeministrit me partnerët po ndodh me dinarin.
Edhe në këtë rast, nuk ka njeri me dy fije mend që mund të thotë se vendimi që Kosova ta ketë vetëm një valutë zyrtare, nuk është vendim i drejtë.
Por kryeministri e askush prej tyre, nuk po thonë se edhe kjo çështje, nëse nuk bëhët me koordinim të plotë e me një agjendë kohore, mund të shndërrohet në problem sigurie…
Dhe sa herë që një çështje ordinere shndërrohet në problem sigurie, e kjo ka ndodhur shumë shpesh në këto dy vjetët e fundit, barra më e madhe u bjen aleatëve, sepse ata vazhdojnë të jenë garantët kryesorë të sigurisë në vend.
Kryeminitri shpesh thotë se “me partnerët edhe mund të mos pajtohemi për gjithçka”. Edhe kjo është e drejtë, sepse është krejt normale që të mos pajtohesh me të gjithë e për gjithçka. Por ai nuk tregon se me aleatët nuk po pajtohet në temat për të cilat nuk do të duhej të kishte mospajtime e aq më pak përplasje, në siguri.
Cështjet e sigurisë sot janë shndërruar në çështje globale edhe për shtete shumë të fuqishme, të cilat janë liderë rajonalë e kontinentalë, e lere më për Kosovën e vogël.
Ne jemi të vegjel për të ekzistuar të vetëm.