Muharrem Nitaj nuk beson se opozita dhe Lista Srpska mund ta rrëzojnë Qeverinë e Kosovës.
Thotë se Haradinaj shkon në shtëpi vetëm nëse vetë dëshiron ta bëjë një gjë të tillë.
Deputeti i AAK-së në një bisedë për Gazetën Express ka shpjeguar edhe më shumë se pse Haradinaj e kishte krahasuar veten me macen kur kishte folur për rrëzimin e tij dhe të Qeverisë.
Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, deklaron se nuk i beson mundësisë që votat e Listës Srpska të jenë vendimtare për të rrëzuar Ramush Haradinajn nga pozita e Kryeministrit.
Të vetmen mundësi për të shkuar Haradinaj në shtëpi, Nitaj po e sheh rrëzimin e vetvetes.
Këto komente nënkryetari i AAK-së i ka bërë duke iu përgjigjur konstatimit të Nënkryetarit të LDK-së (Lutfi Hazirit) se Srpska e ka bërë Haradinajn Kryeministër dhe e njëjta mund edhe ta shkarkojë.
“Zoti Haziri e ka gabim. Zoti Haradinaj ka qenë kandidat për kryeministër i Koalicionit fitues, prandaj është bërë kryeministër. Unë nuk besoj së Lista Srpska ka fuqi as të vendosë e as të shkarkojë kryeministra në këtë vend. Qeveritë bien kur ata e rrëzojnë vetveten, siç pati ndodhur me qeverine e Shefit të Lutfi Hazirit”, ka thënë Nitaj.
Votat e Listës Srpska kishin qenë vendimtare për t’u bërë Haradinaj Shef i Qeverisë. Kishte marrë 61 vota, dhjetë prej tyre të Listës Srpska. Madje, ishte shtyrë edhe votimi i përbërjes së re qeveritare derisa deputetët kishin ardhur nga një takim në Beograd me Aleksander Vuçiqin.
Lista Sprksa, të shtunën, njoftoi se do t’i bëjë bashkë votat për rrëzimin e Qeverisë. Menjëherë reagoi Shefi i Shtetit, Hashim Thaçi, i cili tha se nëse pozita s’i ka numrat do të këtë ndërrim të Qeverisë. Rrëzimin e Haradinaj vazhdimisht e kanë kërkuar edhe LDK, VV e PSD.
Muharrem Nitaj nuk ka përgjigje për kërkesën e Presidentit për ndërrim të Qeverisë, por thotë se Qeveria s’rrëzohet duke folur.
“Qeveria nuk bjen e as nuk mbahet me deklarata. Kur një mocion për rrezimin e qeverisë, i siguron votat e mjaftueshme, atëherë bjen qeveria. Deri më sot, përpos një diskursi elektorat për rrezimin e qeverisë, nuk ka pasur dicka më shumë”, thotë ai.
Sipas tij, veprimet e Srpska’s janë në të njëjtën linjë me Serbinë që e dëshiron zhdukjen e Kosovës.
“Serbia, eshte duke e bere te pamunduren qe ta zhbeje Kosoven edhe si shtet edhe si entitet politik dhe instrument i saj ne kete lufte, per fat te keq eshte edhe Lista srpska”, shton ai.
Ramush Haradinaj prej ditës së parë të punës është ballafaquar me një opozitë të fortë në Parlament. Dikur kishte thënë se edhe nëse rrëzohet do të çohet prapë në këmbë sikur maca.
Muharrem Nitaj shpjegon edhe më tutje se çka kishte dashur të thotë Haradinaj kur e kishte krahasuar veten me një kafshë shtëpiake.
“Ajo meselja e maces ka te beje me pozicionimin e tij karrshi interesave shteterore dhe ai e ka deshmuar se per keto interesa edhe eshte sakrifikuar, edhe eshte rrezuar por edhe eshte “ çu n’kambë prap””, përgjigjet Nitaj.
Ramush Haradinaj i ka mbushur një vit në udhëheqje të Qeverisë. Ka marrë disa vendime në mesin e të cilave ka emëruar gati 100 Zëvendësministra dhe ka rritur pagën vetes dhe zyrtarëve të Qeverisë për 100 për qind. Ka marrë edhe vendime për faljen e borxheve për disa kompani të ujit në vlerë dhjetëra milionë euro.
Nga dje, LDK, VV e PSD i kanë numrat për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Deri në njoftimin e djeshëm të Listës Srpska se partitë opozitare i kanë pasur vetëm 58 vota, vota këto të pa mjaftueshme për rrëzimin e Qeverisë.
Dhjetë deputetët e Listës Srpska që e ia jetësuan ardhjen në pushtet koalicionit aktual qeverisës, shpesh herë dinë të llastohen dhe ta kushtëzojnë Qeverinë Haradinaj. Në mars të këtij viti, ata edhe kërcënuan se do të largohen nga qeveria, kjo në shenjë revolte pas arrestimit që iu bë Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës. Dje, Srpskas i erdhi dita që vendin ta çojnë në zgjedhje të reja, deklaruan se janë të gatshëm të bashkohen me opozitën për rrëzimin e Qeverisë.
Pikëpyetje të mëdha janë krijuar në opinion se a do të bashkëpunojë opozita me Listën Srpska për ta rrëzuar Qeverinë, kjo nuk dihet ende.
Veprimi i tyre i fundit erdhi pasi u bë e ditur se produktet serbe do të kenë taksë shtesë prej 10 për qind