Pas njoftimit se Nisma për Kosovën do të largohet nga Grupi Parlamentar i Koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN) për të formuar grup të veçantë, zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se është në vullnetin e partive që janë pjesë e koalicionit të vendosin se a do të qëndrojnë në një grup të përbashkët apo jo. Megjithatë, ai ka thënë se koalicioni nuk prishet.
Nitaj përmes një shkrimi në llogarninë e tij në “Facebook” ka thënë se po sheh “makineritë propagandistike” se si po shpërndajnë rrena për largimin e Nismës nga PAN.
Ai ka u ka bërë thirrje subjekteve tjera që të mos nguten për të bërë “pazare” pasi sipas tij në këtë shtet ka rregulla, të cilat thotë se duhet të respektohen nga ata që e njohin shtetin e Kosovës.
“Është në diskrecionin e partive politike, aleate të koalicionit PAN, nëse do të vazhdojnë me grupe të ndara parlamentare, apo do të vendosin të jenë një grup i vetëm parlamentar. Kjo vendoset pas certifikimit të rezultateve. Nuk ka asnjë lidhje nëse grupet parlamentare funksionojnë si të vetme në parlament, me largimin e ndonjë partie nga koalicioni PAN”.
“Po i shoh makineritë propagandistike se si po shpërndajnë rrena për largimin e Nismës nga PAN. Më duhet t’i zhgënjej të gjithë ata, se kjo s’ka të bëjë fare me largimin nga koalicioni. PAN i ka rezultatin më të mirë, dhe atij i takon ta bëjë qeverinë. Pritni e mos u ngutni me ba pazare, sepse ka disa rregulla në këtë shtet. Ata që e njohin këtë shtet, duhet t’i respektojnë këto rregulla, jo sepse duan, por sepse nuk kanë zgjidhje tjetër”, ka shkruan Nitaj.