Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka konfirmuar se do të garojnë në një listë të përbashkët me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) të Kadri Veselit.
Muharrem Nitaj, zëdhënës i partisë, tha se koalicioni i sotëm ka qenë i imponuar prej rrethanave.
Ai ka dhënë detaje nga marrëveshja e arritur sonte.
Bartës i listës do të jetë kreu i PDK-së, Veseli, kurse Ramush Haradinaj kandidat për kryeministër të Qeverisë.
“E vlerësojmë gatishmërinë e PDK-së që të rreshtohen pas Haradinajt si kryeministër”, tha Nitaj, raporton Ekonomia Online.
“Koalicioni i sontëm parazgjedhor është një zgjidhje e imponuar. Por, duke i parë zhvillimet e sotme gjatë ditës, kemi vendosur që të shkojmë në koalicion me PDK-në”, ka thënë Nitaj.
“Lëshim” tjetër i madh i PDK-së është që gjysma e kandidatëve në listën prej 110 kandidatëve do të jenë të AAK-Nismës.
Nitaj ka shprehur bindjen se ky koalicion do të jetë fitues i zgjedhjeve.
Nënkryetari Ahmet Isufi ka thënë se ka ardhur koha që Ramush Haradinaj të marrë qeverisjen në dorë.
“Lideri ynë, Haradinaj, do ta zhvillojë Kosovën ashtu si e do populli… Ky është vendimi i duhur për Kosovën”, deklaroi Isufi, në konferencën që u mbajt pas orës 1 të natës.