Italia ka shkelur “në mënyrë të vazhdueshme” rregullat e Bashkimit Evropian kundër ndotjes së ajrit, ka thënë Gjykata Evropiane për Drejtësi të martën, duke mbrojtur veprimet ligjore të Brukselit kundër Romës.
“Vlerat ditore dhe ato vjetore të grimacave PM10, janë tejkaluar në baza të rregullta”, në zonat e theksuara nga Komisioni Evropian, në një procedurë të nisur dy vjet më parë, ka thënë gjykata përmes një deklarate.
Përveç kësaj, “Republika italiane ka dështuar që të miratojë masa të reja”, që kërkohen nga Direktiva e BE-së për Kualitet të Ajrit, e cila tenton të zvogëlojë ndotjen e ajrit në Evropë.
PM10 u referohet sasisë të grimcave që ndotin ajrin në mikron për metër kub.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se grimcat ndotëse të ajrit, më të vogla se 10 mikronë mund të arrijnë në mushkëri dhe ato më të vogla se 2.5 mikronë mund të shkaktojnë shkallë më të lartë të vdekshmërisë për shkak të kancerit në rrugët e frymëmarrjes dhe ato kardiovaskulare.
Agjencia Evropiane e Ambientit vlerëson se 374,000 vdekje të parakohshme mund të raportohen në baza vjetore si pasojë e ajrit të ndotur në BE.
Përveç Italisë, edhe disa shtete të bllokut evropian janë duke u vëzhguar nga Brukseli për këtë çështje.
Gjykata Evropiane për Drejtësi ka gjetur vitin e kaluar se Franca nuk është duke respektuar nivelet e dioksidit të azotit, andaj muajin e kaluar Komisioni Evropian ka dërguar Parisin në gjyq për ndotje të ajrit.