Janë pritur me entuziazëm në Spitalin e Pejës premtimet e kryeministrit, Ramush Haradinaj, ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, për financimin e tri projekteve mjaft të rëndësishme në Spitalin e Pejës, në vlerë mbi 700 mijë euro.
Ky entuziazëm në spital tash ka rënë në nivelin e dëshpërimit, pasi asnjëri prej treve nuk i ka dalë në fjalë spitalit me premtimet e dhëna. Tetorin e kaluar kryeministri personalisht në kabinetin e vet, kur e ka takuar drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Skënder Dreshaj, ishte njoftuar për gjendjen aktuale në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, me ç’rast drejtori i spitalit kishte kërkuar mbështetjen e Qeverisë për financimin e projektit të infrastrukturës së sallave të operacionit, urgjencës, pajisje mjekësore për funksionalizimin e të gjitha reparteve në këtë spital, si dhe ndërtimin e infrastrukturës rrugore brenda kompleksit të spitalit, shkruan sot Koha Ditore.
Kreu i qeverisë së Kosovës kishte shprehu gatishmërinë që t’iu ofrojë përkrahje në fusha që ndikojnë në mirëqenien e pacientëve. Përveç kryeministrit, mbështetje i kishin premtuar spitalit të Pejës për projektet në vlerë mbi 700 mijë euro edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, pasi vitin e kaluar spitali i kishte alarmuar për gjendjen e rëndë, por edhe për shkak se në Spitalin e Pejës nuk është investuar pothuajse fare nga nivelet qendrore, të cilat sikur e kanë fshirë nga harta e objekteve shëndetësore.