Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit kanë parandaluar vetëvrasjen e një personi sot në Prishtinë, i cili kishte tentuar të hidhet nga kulmi i objektit të Psikiatrisë.
Rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.
“Policia e Kosovës, sot me datë 03.01.2021, në orët e para të mëngjesit (07:55) ka pranuar një informatë se në një Klinikë në Prishtinë një person ka hipur në kulmin e ndërtesës (klinikës psikiatrike) dhe është duke tentuar që të kërcejë nga aty. Njësitë policore të stacionit Jugu në Prishtinë kanë reaguar me shpejtësi në lokacion, me ç‘rast është njoftuar edhe njësia e zjarrfikëseve dhe ambulanca”, thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar se pas bashkëbisedimit me personin që kishte dashur të kërcente nga kulmi, zyrtarët policorë janë afruar te ai përmes shkallëve emergjente.