Një 52-vjeçar dyshohet të ketë bërë vetëvrasje, në një mal, afër shtëpisë së tij në Kokaj të Gjilanit.
Ismet Hashani nga Policia e Kosovës në Gjilan ka konfirmuar për RajoniPress se të mërkurën, rreth orës 10.00, është gjetur i vdekur Q. M. nga fshati Kokaj, banues në Gjilan.
Kjo është vetëvrasja e tretë në Gjilan në pak ditë. Para disa ditësh, vetes ia mori jetën një polic, ndërsa më pas dhe një infermiere e Spitalit të Gjilanit.
Zëdhënësi Hashani tha se policia rastin e trajton si vdekje të dyshimtë.
Hashani tha se me të lajmëruar rastin nga ana e familjarëve, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, prokurori dhe mjeku i kujdestar i cili edhe ka konstatuar vdekjen.
“Afër trupit të viktimës është gjetur një pushkë gjysmë automatike”, bëri të ditur ai.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.