Anëtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Dick Pound ka thënë për USA Today që Lojërat Olimpike “Tokio 2020” do të shtyhen.
Sipas tij Lojërat pritet të mbahen në vitin 2021, ndërsa detajet do të caktohet brenda katër javësh.
“Në bazë të informatave që IOC-ja ka, shtyrja është vendosur”, ka thënë Pound për USA Today. “Më shumë detaje nuk janë bërë të ditura, por Lojërat nuk do të fillojnë më 24 korrik. Kaq di unë”.
IOC-ja ka konfirmuar se do të shqyrtohet mundësia e shtyrjes së ngjarjes kryesore sportive për shkak të përhapjes së koronavirusit. Edhe autoritetet japoneze kanë thënë të hënën se Lojërat mund të shtyhen, ndërkohë që presioni nga vendet tjera për një vendim të tillë po rritet vazhdimisht.
Kanadezi Pound për dekada të tëra ka qenë njëri prej anëtarëve më me ndikim të IOC-së. Ai ka theksuar se beson që IOC-ja shpejtë do të dal me njoftim për shtyrje.