Yll Zekaj nga Instituti Demokratik i Kosovës ka kritikuar institucionet e drejtësisë lidhur me rastin tragjik që ndodhi dje në Gjilan.
Zekaj në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës, tha se problematike janë deklarimet e menjëhershme pas ngjarjes tragjike.
“Siç duket kemi prirje që të dalim me deklarata të ngutshme. Patëm deklarime edhe të policisë edhe të prokurorisë, të cilët veç sa nuk e gjykuan rastin”.
“Si IKD konsiderojmë që këto ndikojnë në imazhin që krijohet në publik. Këto versione duhet të dalin pasi të kryhet ekspertiza”.
Sa i përket suspendimit të zinxhirit komandues në Stacionin Policor të Gjilanit nga Inspektorati Policor i Kosovës, Zekaj tha se ishte veprim që duhet përshëndetur.
Por, sipas tij, nuk është vepruar gjithmonë kështu.
“Duhej të ndodhte ky suspendim, në mënyrë që t’i hapet rrugë hetimeve profesionale dhe objektive. Mirëpo Inspektorati Policor i Kosovës nuk ka vepruar në të gjitha rastet me kaq profesionalizëm”.
“Ka pasur raportime për raste të ndryshme skandaloze në IPK. Inspektorati Policor udhëhiqet nga persona me integritet të kontestuar”.
Sa i përket sistemit të drejtësisë në Kosovë, Zekaj tha se Kosova ka infrastrukturë ligjore të bazuar në Konventat Ndërkombëtare dhe se nuk mund të ankohemi as në aspektin institucional.
Por, ai theksoi se “po dështojmë tek aspekti subjektiv, tek personat që janë bartës të këtyre funksioneve”, duke shtuar se ka nevojë të menjëhershme për veting.