Një grup islamik që e ka terrorizuar pjesën veriore të Mozambikut i ka vrarë 52 banorë të një fshati pasi ata refuzuan që të rekrutoheshin në radhët e këtij grupi.
Policia lokale njoftoi se fshatarët u masakruan në Xitaxi të rajonit Muidumbe. Shumica e viktimave ishin qëlluar me armë ose u ishte hequr koka, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
“Kriminelët u përpoqën të rekrutonin të rinj në radhët e veta, por kishte rezistencë. Kjo e nxiti zemërimin e kriminelëve, të cilët i vranë në mënyrë mizore 52 të rinj”, tha zëdhënësi i policisë, Orlando Mudumane.
Militantët kohëve të fundit i kanë shtuar sulmet në këtë pjesë si pjesë e fushatës për themelimin e një kalifati islamik në rajonin e pasur me naftë. Ata kanë arritur të marrin nën kontroll ndërtesa qeveritare dhe të bllokojnë rrugë.
Situata e krijuar ka ndikuar që qindra mijëra banorë lokalë të zhvendosen nga vendbanimet e tyre.