Një ish-punëtor i pakënaqur i prodhuesit gjerman të veturave, Mercedes-Benz, është arrestuar pasi ka shkaktuar dëme milionëshe në një fabrikë të kësaj kompanie në Spanjë.
Burri 38-vjeçar dyshohet se i ka shkatërruar rreth 50 kombibusa të rinj me një buldozer që e kishte vjedhur dhe të cilin e kishte vozitur gati 30 kilometra deri në fabrikë.
Ai e bëri këtë veprim të enjten në mëngjes. Në mesin e veturave të shkatërruara ose të dëmtuara rëndë janë veturat e modelit V-Class, i cili kushton rreth 100.000 euro, dhe veturat e modelit të ri, eVito.
Një rojë u detyrua të qëllonte me armë në ajër si shenjë paralajmërimi që burri me buldozer ta ndalte veprimin e tij të çmendur, shkruan Daily Mail.
Sipas vlerësimit fillestar të kompanisë, dëmi i shkaktuar nga ky person është mes 1.78 dhe 4.45 milionë funtesh.
Një zëdhënës i policisë rajonale në veri të Spanjës tha se janë dëmtuar rreth 50 vetura, ndonëse mediet lokale raportuan se janë 69 vetura të dëmtuara.