Një mijë nxënës filloristë në vrapimin olimpik, me moton “Të lëvizim” për jetë më të shëndetshme

Prishtinë | 20 Qer 2025 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik i Kosovës organizoi aktivitetin kryesor në kuadër të Javës Olimpike 2025, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Mbi një mijë nxënës të shkollave fillore nga kryeqyteti morën pjesë në vrapimin olimpik.

Me këtë rast, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, vuri në dukje peshën e motos së këtij aktiviteti “Të lëvizim” dhe nevojën për jetësimin e saj në përditshmëri, në funksion të një fryme më të shëndetshme të fëmijëve.

“Është dita kur festojmë shëndetin dhe lumturinë tuaj. Ky vit ka qenë mjaft masiv dhe kemi pasur përkrahje të jashtëzakonshme nga 26 komuna të Kosovës …Dita olimpike dhe motoja e kësaj dite ‘Let’s move’, apo ‘Të lëvizim’ është shumë e rëndësishme për ju fëmijë të dashur, sepse të lëvizim, na bënë të shëndetshëm, na bënë të merremi me sport. Besoj që shumica nga ju merreni me sport e disa të tjerë kanë synime që të merren me sport. Komiteti Olimpik do të jetë gjithmonë përkrah jush. Gjithmonë do ta keni përkrahjen tonë, sepse ju jeni e ardhmja e Kosovës”, u shpreh Krasniqi.

KOK-u në bashkëpunim me Federatën Sportive Shkollore dhe federata të tjera sportive gjatë Javës Olimpike, që filloi më 16 qershor, organizoi një sërë aktivitetesh synojnë të promovojnë vlerat olimpike si përfshirja, miqësia, respekti dhe një stil jetese aktive.

Por, dita kryesore e Javës Olimpike ishte e sotmja.

Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, tha se përmes këtyre aktiviteteve, Kosova po i tregon botës që e ka ndër prioritete marrjen me sport.

Ai u shprehu mirënjohje të gjithë pjesëmarrësve.

“Ju falënderojmë që keni ardhur sot bashkërisht të vrapojmë, të bashkohemi, të tregojmë që jemi të shëndoshë. Të merremi me sport, kryesisht me atletikë, sepse atletika është mbretëresha e sporteve. Kemi punuar për një muaj e gjysmë për këtë ditë që ta shënojmë dhe t’i tregojmë Federatës Botërore të Atletikës dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që ne kemi fëmijë, vajza dhe djem të cilët sot këtë ditë do ta shënojnë në paqe dhe në liri të gjithë së bashku”, tha Sylejmani.

Të ngjashme