Numri i psikologëve dhe i pedagogëve në shkollat e Kosovës nuk ka shanse të shtohet gjatë vitit 2018.
Aktualisht në mbi 1 mijë shkolla të arsimit parauniversitar të Kosovës janë të angazhuar 40 pedagogë dhe 40 psikologë. Që i bie se në shumicën e shkollave nuk ka fare psikologë dhe pedagogë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) përgjegjësinë e angazhimit të tyre në shkolla po ua lënë komunave. E ishte po kjo ministri që muaj më parë ishte zotuar se nga ky vit do të angazhohet që të shtojnë numrin e këtyre ekspertëve në institucionet e arsimit parauniversitar.
Këshilltari në MASHT, Valmir Gashi, ka thënë se ministria është në dijeni se shkollat kanë nevojë për psikologë dhe pedagogë, por që shtimi i numrit të tyre varet nga komunat.
Neni 37 i Ligjit për arsimin parauniversitar, i cili flet për personelin profesional jomësimdhënës parasheh që shkollat duhet të kenë të angazhuar psikologë dhe pedagogë.