Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.P, D.K dhe Z.V, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë sulmuar një pompë të derivateve, me qëllim të përfitimit të pasurisë.
Sipas njoftimit, me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale grabitje.
Të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen dhe se kjo vepër bënë pjesë në grupin e veprave të rënda penale për të cilat parashihet dënimi prej 7 deri në 15 vite burgim andaj, me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri ekziston rreziku që të arratisen me qëllim që t’i shmangen dënimit që iu kanoset po qe se provohet fajësia e tyre. Gjithashtu, gjykata caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton me faktin se kjo çështje është në fazën hetimore dhe pritet që të dëgjohen dëshmitarët dhe vetë të pandehurit ashtu që me gjetjen e mundshme të tyre në liri, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, mund t’i ndryshojnë deklaratat e dhëna në polici duke i harmonizuar mbrojtjet mes tyre si dhe të ndikojnë në dëshmitarë e me këtë të pengojnë rrjedhën normale të procedurës”, thuhet në njoftim.