Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Gëzim Çelës, i njohur si “baroni i drogës”, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë.
Përmes një komunikate për media, Gjykata njofton se Çela është dërguar për një muaj në paraburgim, nën dyshimet se ka kryer veprat penale ‘Trafikimi me narkotikë’ dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit’.
Ndryshe, dje Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim, duke dhënë detaje rreth arrestimit të Gëzim Çelës.
Siç bëhet e ditur në njoftim, në momentin e arrestimit ai ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova, teksa arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt.
Tutje thuhet se lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU të cilët në koordinim me organet e drejtësisë, do të merren me procedura rreth rasteve kur kemi të bëjmë me arrestime të personave që janë në kërkim ndërkombëtar.