Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Sh. H.
I pandehuri dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar presion dhe dhunë psikologjike tek bashkëjetuesja A. R., në mënyrë që të marr vendimin për abortimin e fëmijës.
“Me këto veprime i pandehuri Sh. H. ka kryer veprat penale,shtrëngimi dhe shtytja në kryerjen e veprës penale ndërprerja e palejuar e shtatzënisë, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek dëshmitarët”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga Gjykata Themelore në Gjilan.