Gjykata Themelore në Gjilan, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, për ish-shefin e Prokurimit në Komunën e Gjilanit, Salih Kçiku si dhe djalin i tij, Fatgëzon Kçiku pasi që dyshohet se të mërkurën, e kanë sulmuar fizikisht një zyrtar policor, në oborrin e Gjykatës Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Një gjë e tillë është vendosur, të enjten, në seancën dëgjimore që është mbajtur në këtë gjykatë, nga gjykatësi i procedurës paraprake, Behar Ymeri.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj gjykate, Sabit Shkodra.Paraprakisht, ndaj dy të dyshuarve ishte caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, pasi ata ishin intervistuar nga prokurori kompetent dhe Policia e Kosovës, e cila tashmë ka ngritur kallëzim penal, duke e klasifikuar rastin si “sulm ndaj personit zyrtar”.
Të mërkurën, ishte paraparë të mbahej seanca gjyqësore ndaj Salih Kçikut, i ciku akuzohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor.
Por, kjo seancë ka dështuar të mbahej pasi që punëtorët e gjykatave dhe të prokurorive në nivel vendi, janë futur në grevë të përgjithshme, duke kërkuar rritje të pagave.
Sulmi ndaj zyrtarit policor dyshohet se ka ndodhur, pasi që seanca ndaj ish-shefit të Prokurimit, kishte dështuar të mbahej.Rastin e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjilan, Ismet Hashani, por që nuk janë bërë të ditur motivet e këtij rasti.Sipas tij, lidhur me rastin janë ndaluar dy persona, të cilët janë intervistuar nga prokurori kompetent.
Ndryshe, ish-shefi i Prokurimit Publik në Komunën e Gjilanit, Salih Kçiku, akuzohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, i cili në seancën e më 23 mars të këtij viti ishte deklaruar i pafajshëm.Sipas aktakuzës, të ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 janar 2018, gjatë vitit 2014 në Gjilan, i pandehuri në cilësi të personit zyrtar, drejtor i Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij.
Aktakuza thotë se ai kompetencat i ka kaluar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për persona tjerë, duke punësuar dy familjarë të tij, në atë mënyrë që ka vendosur një OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan.
Sipas aktakuzës, në këtë zyrë kanë qenë të vendosura dosje të tenderëve, e ndër të tjerash edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policorë nuk kanë mundur t’i gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara, e ku në të njëjtën OJQ, i pandehuri ka punësuar vajzën Antigona Kçiku dhe mbesën Naime Bunjaku.
Me këtë prokuroria konsideron se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Dispozitivi i dytë i aktit akuzues, thotë se gjatë vitit 2014, në Gjilan, i pandehuri në cilësi të personit zyrtar, drejtor i Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, duke asgjësuar apo fshehur materialet arkivore.E këtë veprim, aktakuza pretendon se e ka kryer në atë mënyrë që ka vendosur OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan.
Tutje, thuhet se në këtë zyre kanë qenë të vendosura dosje të tenderëve, e ndër te tjera edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policorë, gjatë hetimit të një rasti penal nuk kanë mundur t’i gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara.Me këtë veprim, prokuroria pretendon i pandehuri ka kryer veprën penale “asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor”.