Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën prej një muaji paraburgim, të pandehurit V.V, zyrtari policor që dyshohet se abuzoi me të miturën 16 vjeçare nga Drenasi.
Nga kjo gjykatë u bë e ditur se masa e paraburgimit u caktua lidhur me veprat penale, keqpërdorimi seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin dhe nderprerjen e palejuar të shtatzënisë.
Masa e paraburgimit është caktuar prej datës 05.02.2019 deri më datën 05.03.2019.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore të Prishtinës
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.V për shkak të veprave penale Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 nën paragrafi 1.3. të KPRK-së dhe veprën penale Ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë nga neni 184 par.2 lidhur me paragrafin 1 dhe 33 të Kodit Penal Republikës së Kosovës.
Gjykata ka marr aktvendim dhe të pandehurit V.V iu është caktuar masa e paraburgimit prej datës 05.02.2019 deri me datë 05.03.2019.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri V.V duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në cilësinë e udhëheqësit në Njësinë e Hetimeve në Stacionin Policor Drenas e ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar të tij.
Gjykata ka konstatuar se lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda kundër të pandehurit V.V është përmbushur kriteri i veçantë për caktimin e masës së paraburgimit nga neni 187 par.1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.1, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes, pasi që tani i pandehuri akuzohet për dy vepra penale për të cilën ligjvënësi ka paraparë dënime të ashpra bazuar në rrezikshmërinë shoqërore të këtyre vepre penale, andaj ekziston rreziku që i pandehuri të fshihet apo të ik përkohësisht nga Republika e Kosovës me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale apo edhe për të penguar rrjedhën e pa ndërprerë të procedurës penale ndaj tij.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.