Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të miturit A. I.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 15.02.2019, rruga “Dëshmorët” në Komunën e Vitisë, gjatë një kontrolli nga zyrtarët policorë, tek i mitur është gjetur një sasi prej 264,6 gramë substanca narkotike të llojit “marihuanë””, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
“Me këto veprime i mituri ka kryer veprën penale, posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 273 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për të Mitur, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit.
I njëjti vetëm një ditë pasi ka mbajtur masën e paraburgimit dhe është dënuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit, ka përsëritur veprën e njëjtë.