Një muaj paraburgim i është caktuar të pandehurit Xh.L, pasi ka kryer veprën penale vrasje në tentativë, më 8 qershor, në rrugën Bregu i Zi, në afërsi të fshatit Varigovc në Lipjan.
Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri XH.L me dt.08.06.2018, rreth orës 11.00, në rrugën Bregu i Zi, në afërsi të fshatit Varigovc, , pas një mosmarrëveshje të atqasshme me të dëmtuarit I.L dhe L.L, lidhur me mbeturinat për hedhjen e tyre në mal, me qëllim që t’i privoj nga jeta kishte përdorë shufrën metalike (vinq), si mjet të rrezikshëm i cili i kishte goditur në kokë të dëmtuarit I.L dhe L.L, duke i rrëzuar në tokë dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore”.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit XH.L është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.
Të dëmtuarit I.L dhe L.L, gjenden të shtrirë në QKUK, në Prishtinë, kurse në intensivë, në gjendje të rëndë është i dëmtuari I. L.