Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit prej një muajsh për M.A., i dyshuar për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’.
Në njoftim thuhet se, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit M.A për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
“Për veprat penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile e paraparë dhe sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë(RSFJ) i cili ligj ishte në fuqi në kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale, vepër kjo e paraparë dhe e sanksionuar edhe me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës(KPRK-së) me nr. 06/L-074 Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se të pandehurit M.A. gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, përkatësisht deri më datën 29.05.2021. Masa e paraburgimit të pandehurit M.A. i është caktuar në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1 dhe 2 pika 1.2.1 të KPPRK-së.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehurit në liri mund të arratiset nga vendi apo fshihet me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale dhe me këtë do të ndikonte në zvarritjen e procedurës penale”, vijon njoftimi i Gjykatës.
I pandehuri M.A. dyshohet se me datë 28.03.1999 rreth orës 07:00 së bashku me një grup i përbërë mbi 50 veta të forcave ushtarake dhe policore serbe, kishin hyrë në fashtin Izbicë, fillimisht e kishin bombarduar fshatin duke shkatërruar shtëpitë dhe pasurinë e civilëve dhe në këtë mënyrë i kishin detyruar civilët që të dalin nga shtëpitë dhe i kishin grumbulluar në një vend dhe me forcë dhe kërcënim i kishin detyruar gratë dhe fëmijët që të largohen duke i dërguar në drejtim të Klinës, ndërsa mbi 140 burra i kishin grumbulluar në një vend të quajtur ‘’Kodra e Zallit’’ dhe të njëjtit i kishin vrarë
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.