Avokati i popullit ka vlerësuar se kriteri i Universitetit të Prishtinës për zgjedhjen e personelit akademik në fakultetet e UP-së nuk është në pajtim me ligjin.
Në komunikatën për media, thuhet që ky kriter madje është diskriminues për kandidatët që i kanë mbaruar studimet jashtë vendit, të cilëve u parandalohet aplikimi dhe pjesëmarrja në konkurs.
“Duke marrë parasysh kriterin e parashikuar në konkursin e datës 27 prill 2018, për zgjedhjen e personelit akademik në fakultetet e Universitetit Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina” , i cili përcakton që “kandidatët që i kanë mbaruar studimet jashtë vendit duhet të sjellin edhe vendimin për nostrifikim (barasvlerën) e diplomës përkatëse (bachelor, master, magjistraturë, doktoratë) dhe se nuk do të merret në konsideratë dëshmia e aplikimit për nostrifikim”, Avokati i Popullit paraqet këtë Opinion, i cili ka për qëllim të tërheq vëmendjen e UP që kriteri i lartcekur në konkursin për zgjedhjen e personelit akademik në fakultetet e UP, të datës 27 prill 2018, nuk është në pajtim me legjislacionin në fuqi, shkel parimin e barazisë dhe drejtat e tjera në lidhje me procedurën e rekrutimit të personelit akademik në UP, dhe si i tillë, ky kriter është diskriminues për kandidatët që kanë mbaruar studimet jashtë vendit, duke parandaluar kështu aplikimin e tyre, përkatësisht pjesëmarrjen e tyre në konkurs”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.