Një numër i liderëve evropianë janë vetizoluar pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri, shkruan BBC.
Macron 42-vjeçar ka thënë se do të vetizolohet për shtatë ditë.
Presidenti i Francës ka marrë pjesë në një numër të ngjarjeve të profilit të lartë në ditët e fundit, përfshirë edhe në samitin e Bashkimit Evropian.
Pas diagnozës së tij, një numër i liderëve evropianë, përfshirë edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, janë vetizoluar.
Sanchez ka rezultuar negativ në testin për koronavirus, por do të vetizolohet deri më 24 dhjetor. Po ashtu edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka rezultuar negative në testin për koronavirus pas samitit të BE-së.
Bashkëshortja e Macronit, 67-vjeçare Brigitte, po ashtu është vetizoluar, por nuk ka simptome.
Nuk është ende e qartë se si Macron është infektuar, por zyra e tij ka thënë se po identifikohen gjitha kontaktet e afërta që ka pasur së fundi.
“Presidenti i Republikës është diagnostikuar pozitiv me Covid-19 sot”, është thënë nga Elysee sot në mëngjes.
Po ashtu kanë treguar se po vetizolohen edhe kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa, ai i Belgjikës, Alexander De Croo dhe i Luksemburgut, Xavier Bettel.
Po ashtu në vetizolim janë edhe kryeministri i Francës, Jean Castex dhe kryeparlamentari Richard Ferrand.