Një pacientë me meningjiti po trajtohet në Infektivë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ndërkaq edhe një pacient tjetër është prekur nga sindroma veshkore ose ethet e minjve, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, ka treguar për Ekonomia Online, se pacientët janë në gjendje të mirë, teksa në fillim të kësaj jave janë liruar edhe dy të tjerë.
“Për momentin ne në Klinikën Infektive e kemi një pacient të shtrirë me menigjit seroz. Kemi pasur edhe dy pacientë tjerë por në fillim të kësaj i kemi lëshuar këta pacientë sepse kanë qenë me gjendje të mirë shëndetësore dhe për momentin e kemi vetëm një pacient me këtë sëmundje”, tha Vishaj, teksa tregoi edhe për simptomat që i ka kjo sëmundje.
“Simptomat me të cilët ne i vërejmë tek këta pacientë janë; lodhja, temperatura e lartë, kokëdhëmbja e plogështia. Kurse si shenja klinike janë të vjellat, shtrëngimi i qafës, pastaj këta pacientë kanë edhe frikë nga rrezet e diellit e kanë pagjumësi”, tha tutje Vishaj.
Vishaj ka deklaruar se pacientja me ethe të minjve kishte ardhur para një jave me ethe dhe temperaturë të lartë.
Sipas tij, aktualisht gjendja e pacientes është stabile dhe është duke e marrë trajtimin e nevojshëm.
“E kemi një pacient të spitalizuar me ethe hemoragjike me sindrom rajonal ose me ethe të minjve që i themi. Gjendja e saj është stabile. Kosova është zonë endemike e etheve hemorragjikeve me sindrom bashkëhor por në krahasim me vitet që i kemi pasur më para, tashmë kemi shumë sporadike e pak, krahasuar me vitet më herët”, u shpreh Vishaj.
Ndonëse pandemia Covid-19 nuk ka përfunduar, rastet që trajtohen në këtë klinikë janë të vogla. Vishaj tha se aktualisht në Infektivë i kanë dy pacientë.
“Covid-19 më nuk paraqet emergjencë globale dhe nuk është më sëmundje emergjente nacionale por Covid-19 është në mesin tonë, duhet kohë shumë e gjatë që të eliminohet si tërësi dhe ndoshta nuk eliminohet fare, është i pranishëm te popullata jonë por me shifër shumë të vogël. I kemi dy pacientë të spitalizuar me Covid-19 dhe janë duke i zhvilluar formën mesatare të sëmundjes”, tha Vishaj, teksa shtoi se gjendja e tyre është mesatarisht e mirë.