Drejtoria e shkollës fillore “Nazim Hikmet” në fshatin Dobërqan ka kërkuar nga komuna ndihmë për evitimin e defekteve në rrjetin elektrik.
Drejtori i shkollës, Fadil Shabani, ka bërë të ditur se me një klasë nuk është duke vijuar procesi mësimor për shkak të defekteve me instalimin elektrik, shkruan sot Koha Ditore.
“Është sanuar defekti pjesërisht dhe është mundësuar që të mbahet procesi mësimor. Mirëpo sanimi i përgjithshëm nuk është bërë, sepse kam kërkuar rivevendosjen e ndriçimit në gjithë shkollën. Shkolla është e vjetër dhe daton prej vitit 1966 dhe është e ndarë në dy pjesë dhe kemi një ankesë që është ndërtuar mbas vitit 1981, mirëpo në atë pjesë jemi në rregull me rrymën, sepse atje e kemi edhe kabinetin e kompjuterëve. Mirëpo në këtë pjesë kemi probleme me ndriçimin për shkak të instalimit të vjetër në shumë klasë nuk punon siç duhet dhe kjo krijon mandej vështirësi në proces”, ka thënë ai.
Thotë se në përgjigjen që kanë marrë nga organet komunale është zotuar se do të intervenohet, mirëpo duhet të gjejnë një kohë të përshtatshme me qëllim që të mos pengohet mbarëvajtja e procesit mësimor.