Për një vend pune, i gjithë fshati ka mbetur pa ujë të pijshëm.
Fshati Koshtovë në komunën e Mitrovicës që nga 4 korriku ka mbetur pa ujë të pijshëm.
Në vitin 2000 Imer Grepi ka dhënë tokën e tij në fshatin Koshtovë të Komunës së Mitrovicës për ndërtimin e stacionit të pompave të ujësjellësit.
Si kompenzim iu premtua punësimi i të birit por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë.
E si shkas i mos dakordimit të palëve, fshati që nga 4 korriku nuk furnizohet fare me ujë të pijes.
“A është kjo ara jote, “po”, a bën këtu me i shti këta gypa se nuk po mundemi askund tjetër e pastaj me të punësuar një djalë, “po”. Kur erdhi puna me finalizua ky projekt, më thanë jo se këtu nuk na duhen punëtorë, s’na duhet askush, e kryejmë ne këtë punë, edhe ti shko në shtëpi!”, tregon Grepi, premtimin që atij ia bënë nga Komuna e Mitrovicës.
Grepi për RTV Dukagjinin, tregon saktësisht nga kush mori premtime.
“Më ka premtua kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës, Faruk Spahija. Edhe punëtorët e ujësjellësit kanë qenë dëshmitarë dhe me kanë thirrur në shtëpi”, tregon më tej Imer Grepi.
Drejtori teknik në kompaninë rajonale Ujësjellësi, Kadri Istrefi thotë se nuk ka asnjë dokument zyrtar që vërteton këtë marrëveshje dhe përgjegjësinë e hedh tek Komuna.
“Nuk kemi dokument zyrtar në arkiv se pronari i tokës do të futet në punë nëse stacioni lëshohet në funksion. Problemi është në mes pronarit të tokës dhe Komunës së Mitrovicës”, shprehet Kadri Istrefi, drejtor teknik në kompaninë rajonale Ujësjellësi.
Në anën tjetër, Naser Muja – drejtor i drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në komunën e Mitrovicës, përmes linjes telefonike thotë që sipas informacioneve që posedon nga banorët, Grepi nuk ka marr premtim nga komuna por nga qeveria e kaluar.
Pasi që një marrëveshje me shkrim nuk ekziston, ai kërkon që pronari të lejoj shpronësimin e asaj toke dhe sipas tij projekti do të dorëzohet menjëherë tek Ujësjellësi.
Meqenëse Grepi nuk dakordohet me këtë vendim dhe banorët tjerë vuajnë mungesën e ujit, ata paralajmëruan mundësinë e një proteste.