Një punëtor i KEK-ut vdes në vendin e punës

Prishtinë | 03 Shk 2018 | 10:13 | Nga

F. Salihu punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka vdekur mbrëmë në vendin e tij të punës, raporton Ekonomia Online.

Salihu është rrëzuar duke punuar nga një lartësi prej 30 metrash. Ai punonte në departamentin e prodhimit në Termocentralin “Kosova A” dhe ishte ndihmës i manipulantit të kaldajës.

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar për vdekjen e F. Salihut, i cili ka ndërruar jetë mbrëmë në orën 23 e 50 minuta, derisa ishte duke u punuar në ndërrimin e tretë.

“Të nderuar kolegë punëtor të KEK-ut më dhimbje të thellë ju njoftojmë se mbrëmë në ndërrimin e tretë përkatësisht në ora 23 e 50 humbi jetën punëtori në TCA F. Salihu. I ndjeri humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës në punë. Ngushëllime familjes Salihu, ngushëllime kolegëve”, thuhet në njoftim.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, nuk ka dhënë detaje për rastin, por ka thënë se në Raportin 24 orësh të Policisë do të jepen informatat më të hollësishme.

Në raportin e policisë kjo vdekje po konsiderohet si e dyshimtë, ndonëse thuhet se viktima askisdentalisht ka rënë nga lartësia.

“Raportohet se viktima mashkull K-Shqiptar gjersa ka qen duke punuar  aksidentalisht ka ra nga lartësia me që rast ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në vendin e  ngjarjes kanë dal të gjitha njësit përkatëse”, thuhet në raportin e Policisë.

Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në obduksion.

Ndërsa Skënder Bucolli, drejtor për Informim në KEK,  ishte i paqasshëm mëngjesin e së shtunës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme