Një punëtor i PTK-së vdes pasi i thyhet shtylla telefonike

Ferizaj | 04 Gus 2016 | 16:06 | Nga

Një punonjës i PTK-së në Ferizaj ka gjetur vdekjen, pasi ka rënë nga shtylla e telefonit, derisa po punonte.

Viktima është N.Q., 49-vjeçar, ka konfirmuar policia në Ferizaj.

Policia është informuar rreth orës 10 se në lagjen “Vezir Jashari”, ndodhet një person i shtrirë në rrugë.

“Patrullat policore menjëherë i janë përgjigjur rastit, e kanë njoftuar Ndihmën e Shpejtë dhe kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes”.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit rajonalë, bashkë me Krim-Teknikën. “Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, provave materiale të gjetura dhe dëshmitë nga dëshmitarët okularë, është konstatuar se viktima, N.Q. (49 vjeç), punonjës i PTK-së në Ferizaj, derisa po punonte në një shtyllë telefoni, shtylla ishte thyer duke rënë për tokë bashkë me punëtorin, duke i shkaktuar viktimës lëndime të rënda trupore”.

Edhe pse në vendin e ngjarjes i është dhënë ndihma mjekësore nga ana e personelit të ndihmës së parë, në spitalin e Ferizajt, viktima është sjellë pa shenja jete.

Këqyrjen e vendit të ngjarjes e kanë bërë edhe inspektorët e punës.

Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i cili ka autorizuar hetuesit rajonal të policisë marrjen e të gjitha veprimeve hetimore, ndërkohë që trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

(Foto arkiv)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme