Policia e Kosovës ka njoftuar se një qytetar ka dorëzuar në stacionin policor në Ferizaj një shumë parash të gjetura në rrugë.
Sipas komunikatës së policisë, më 12 janar 2026, rreth orës 16:00, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari A. Cakolli, 61 vjeç, i cili ka dorëzuar një shumë të caktuar parash që i kishte gjetur në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj.
“Paratë janë numëruar në prezencë të qytetarit dhe për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa është iniciuar ‘Shënim zyrtar’”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu, policia bën të ditur se mjetet financiare aktualisht ruhen në stacionin policor në Ferizaj, derisa të paraqitet pronari i ligjshëm.
“Ftojmë qytetarin – pronarin e ligjshëm të kësaj shume të parave, të paraqitet në stacionin policor në Ferizaj për verifikim dhe për të tërhequr mjetet e tij”, thuhet më tej në komunikatë.
Policia Rajonale e Ferizajt ka falënderuar publikisht qytetarin për veprimin e tij.
“Falënderojmë qytetarin A. Cakolli për gjestin shembullor dhe human, i cili tregon përgjegjshmëri dhe ndershmëri qytetare”, thuhet tutje në njoftim.