Një shekull nga 1917-a e revolucionit, 10 vjet nga kriza e madhe

Prishtinë | 20 Jan 2017 | 16:30 | Nga Antonio Calabro

Kthehemi kështu në kontradiktat e nëntë-qindës, të shprehura sot në forma natyrisht të reja dhe më shqetësuese: mes demokracisë liberale dhe kapitalizmit në format e tij të ndryshme, mes inovacionit të teknologjisë së lartë dhe vlerave të lashta (dinjiteti i punës), mes mirëqenies së shtresave sociale më të forta dhe pasigurive të brezave të rinj, mes atdhe-ve dhe botës.

Reflektimet kritike mbi të gjitha aspektet e vitit 1917, teksa mbushet një shekull, mund të na ndihmojnë për të kuptuar pak më mirë edhe të sotmen

Një shekull më parë ishte 1917, viti i Revolucionit sovjetik, një prej atyre ngjarjeve që shënojnë humorin e kohës në të gjithë botën, një nga ato ngjarje që ndajnë epokat, në imagjinatën e përgjithshme, në “para” dhe “pas”, simboli i një frakture historike epokale, për të përdorur frazën e Fernand Braudelit.

Dhjetë vjet më parë ishte fillimi i “Krizës së madhe” financiare dhe ekonomike, pasojat e të cilës i ndiejmë fort edhe sot. Në mes, një sezon plot turbullira ndryshimesh radikale dhe shpesh herë dramatike. Nëse të shkruash historinë “është t’u japësh fizionomi datave”, sipas mësimit të Valter Benjaminit, të mbash parasysh përsëritjet është zgjedhje e përpiktë dhe oportune.

Historia, është e vërtetë, nuk është aspak ashtu si thuhet, magistra vitae. Por e rindërtuar në mënyrë kritike, ndihmon gjithë-sesi për të parë më mirë kuptimin e të kaluarës dhe të deshifrosh më me vetëdije, aktualitetet tona kontroverse.

Kohët e fundit, mes agimit të shekullit të shkurtër dhe ditëve të sotme të krizave e ndryshimeve, Nëntëqinda u largua me rënien e Murit të Berlinit dhe shpërthimit nga brenda të perandorisë sovjetike në 1989, primatin kontrovers amerikan në momentin e triumfit të tregut të lirë dhe demokracive liberale kundër Ariut komunist, globalizimin e pandalshëm, përhapjen gjithnjë e më të shpejtë të teknologjive digjitale që ndryshojnë prodhimet, produktet, tregjet dhe konsumet.

Dhe sërish, me bumin ndërkombëtar të financës dhe instrumenteve të saj të shkëputura nga “ekonomia reale”. Dhe mbërrijmë në 2007-ën tek kriza e madhe. Deri në ditët e sotme.

Shekulli i shkurtër nis me Luftën e Madhe 1914-1918: e gjatë, shkatërrimtare, radikalisht e ndryshme nga e kaluara, për shkak të futjes në skenën e luftës të teknologjive të reja ushtarake (motorizimi, avionët, mekanika e armëve, kimia, gazi, financa, logjistika etj) dhe për nga dimensionet masive të përplasjes, pasojat e të cilës përfshijnë si kurrë më parë, shtresa të mëdha të popullsisë civile.

Dimensione për t’u ri-studiuar. Dhe pikëpyetje të epokës që mbeten absolutisht bashkëkohore, si mund ta zbulojë kush merr në dorë “Pasojat ekonomike të paqes”, pamfletin brilant të John Maynad Keynesit në vitin 1919, për të dokumentuar gabimet e Traktatit të Paqes të Versajës, si dhe denoncuar pasojat negative të poshtërimit të Gjermanisë dhe egoizmave nacionaliste të Britanisë së Madhe dhe Francës, si dhe afirmimit sipërfaqësore të hegjemonisë së SHBA (do të pasonte Lufta e Dytë, me serinë e saj të tragjedive).

Një Keynes mbi të cilin duhet reflektuar edhe sot, në këto stinë neonacionalizmash, proteksionizmash dhe ribërjesh të influencave globale politike, ushtarake, ekonomike. Pikërisht në rrafshin e ndërthurjes mes politikës dhe ekonomisë, Kriza e Madhe na ofron shumë tema ende të vlefshme.

Tema e parë ka të bëjë me “rrugën e lirë” që politika i la “Reagonomics” dhe Chicago Boys të Friedmanit (ideologjia e tregut si vlerë absolute dhe e përgjithshme, dhe jo si instrument i konkurrencës së lirë të mirë-rregulluar) dhe më pas nga supozimi clintonian “It’s the economy, stupid!”, dhe deri tek ekspansioni i financës dhe fitimit të shpejtë dhe të pamatë (“Babëzia është e mirë”, sipas batutës së Gordon Mekko-Michael Douglas në “wall Street”).

Ja pra: Kriza e Madhe, si borxh i tepruar i kamufluar me “derivate” dhe “subprime”, çekuilibri ekonomikë dhe socialë të patolerueshëm, pabarazi. Pasojat janë ende aktuale. Diskutimet e këtyre ditëve në Forumin Ekonomik të Davosit janë jehona e pa ngatërrueshëm.

E gjithë bota është e futur tashmë në turbinën e një transformimi, pa rezultate të sigurt.

“Nuk i bëjnë më ashtu”, shkruan The Economist në numrin që sapo ka dalë, duke shtuar se “prodhimi në botën e pasur ka ndryshuar në mënyrë dramatike, që nga ditët e punimit të metalit. Bashkë me të, edhe vendet e punës”.

Ja një temë e rëndësishme: marrëdhënia mes teknologjive inovative dhe vendeve të punës që humbin, nevojat për aftësi të reja dhe dinamike profesionale dhe mungesa e ekuilibrave socialë, respekti për logjikët e tregut (konkurueshmëria, ndërkombëtarizimi) dhe fitimit për kompanitë, si dhe problemet e punësimit, pagave, mirëqenies.

Por edhe raporti konfliktual mes globalizimit që përparon (me shanse dhe hije) dhe rilindjes së frymëve nacionaliste (Trump, Putin, Erdogan, nën-kultura e Brexit, egoizmat e vendeve të shumë në brendësi të BE-së).

Kthehemi kështu në kontradiktat e nëntë-qindës, të shprehura sot në forma natyrisht të reja dhe më shqetësuese: mes demokracisë liberale dhe kapitalizmit në format e tij të ndryshme, mes inovacionit të teknologjisë së lartë dhe vlerave të lashta (dinjiteti i punës), mes mirëqenies së shtresave sociale më të forta dhe pasigurive të brezave të rinj, mes atdhe-ve dhe botës. Reflektimet kritike mbi të gjitha aspektet e vitit 1917, teksa mbushet një shekull, mund të na ndihmojnë për të kuptuar pak më mirë edhe të sotmen.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme