Një shqiptar në listën e Forbes-it “30 under 30”, e përgëzon Haxhiu

Prishtinë | 15 Pri 2026 | 13:09 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përgëzuar Merkur Smajlajn, në përzgjedhjen e tij në listën prestigjioze të Forbes-it “30 under 30”.

“Urime Merkur Smajlaj për emërimin në listën Forbes 30 Under 30 Europe 2026. Puna e tij në ruajtjen e hidrogjenit dhe inovacionin në energjinë e pastër pasqyron talentin dhe përkushtimin e të rinjve që formësojnë të ardhmen. Kosova është krenare për arritjen e tij” shkroi Haxhiu në “X”.

Smajlaj u bë pjesë e listës së famshme të njerëzve të suksesshëm në fusha të caktuara, para se të mbushin 30 vjet.

Forbes-i ka vite që e praktikon këtë seleksionim, duke përzgjedhur njerëz shumë të suksesshëm dhe ekskluzivë.

Merkuri është përgjegjës për kërkim dhe zhvillim në startup-in austriak “HydroSolid”, që përqendrohet në ruajtjen e sigurt të hidrogjenit.

Sistemi i tij përdor materiale të përparuara që thithin hidrogjenin, të cilat e ruajnë hidrogjenin në një presion prej vetëm 30 bar, në vend të presionit të zakonshëm prej 300+ bar, duke ofruar atë që startup-i e quan një zgjidhje shumë më të sigurt, më kompakte dhe me kosto efektive, si dhe një zgjidhje që zvogëlon emetimet e CO2.

Duke udhëhequr zhvillimin kimik dhe shkallëzimin e nanokompozitëve të HydroSolid, Smajlaj ka punuar në projekte të BE-së me kompani, përfshirë Stellantis dhe Boeing. Kompania ka mbledhur 3.5 milionë dollarë deri më tani.

Të ngjashme