Një tërmet me magnitudë 5.1 u raportua në provincën në Egje të Izmirit herët të martën, njoftoi Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD).
Së paku deri më tani, për fat të mirë, ende nuk raportohet për viktima apo dëme materiale, përcjell Telegrafi.
Sipas mediave turke, tërmeti ndodhi në provincën perëndimore të Izmirit në orën 7 të mëngjesit (04:00 GMT) sipas kohës lokale, tha AFAD.
Epiqendra e tërmetit ishte 56,18 kilometra (34,90 milje) nga rrethi Urla i Izmirit, me një thellësi prej 3,97 kilometrash.
AFAD gjithashtu raportoi se u regjistrua një pasgoditje me magnitudë 4.3 ballë. Mësohet se pasgoditja ka ndodhur në një thellësi prej 7.16 kilometrash.
“Pas tërmetit që ndodhi në Urla, deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme. Puna e skanimit në terren po vazhdon aktualisht”, tha AFAD në Twitter.
Guvernatori i Izmirit, Yavuz Selim Köşger gjithashtu bëri një deklaratë ku konfirmoi një gjë të tillë.
Ndryshe, Izmiri ishte skena e tërmetit më vdekjeprurës të vitit 2020 në vend.
Më 30 tetor të vitit të kaluar, 117 njerëz u vranë në provincë kur një tërmet me magnitudë 6.6 goditi brigjet e qytetit, duke shkaktuar kërdi veçanërisht në rrethin Bayrakli, rreth 66 kilometra nga Urla.