Me ndeshjen ndaj Leeds United, që luhet të shtunën (sot, 18:30), Liverpooli nis mbrojtjen e titullit të kampionit në Premier League.
Liverpooli i Juergen Kloppit synon një tjetër edicion të suksesshëm, ndërsa për shumë më tepër sukses e fat shpreson edhe ylli shqiptar i futbollit, Xherdan Shaqiri, transmeton koha.
Shaqiri ka dhënë pak kontribut në kampanjën e kaluar të Liverpoolit, që ia solli këtij klubi titullin e Anglisë, të pritur për dekada të tëra. Reprezentuesi i Zvicrës, Shaqiri, ka pasur gjatë gjithë edicionit të kaluar telashe me lëndime dhe për këtë arsye kishte numër të kufizuar paraqitjesh. Edhe në fazën përgatitore për edicionin që nis të shtunën (sot), Shaqiri ka pasur shqetësime fizike. Për këtë arsye nuk është grumbulluar me Zvicrën për ndeshjet e shtatorit.
28-vjeçari të premten është bashkuar me lojtarët e tjerë në stërvitje të Liveproolit. Ai është kthyer në stërvitje të rregullta pas disa ditësh mungesë, pas një shqetësimi që iu paraqit gjatë përgatitjeve në Austri.
Të premten në konferencë për shtyp, Klopp nuk ka garantuar që Shaqiri do të grumbullohet për ndeshjen e parë të edicionit 2020/2021.
Për Shaqirin, Jordan Hendersonin dhe Kostas Tsimikas, Klopp do të vendosë në momentin e fundit nëse do t’i përzgjedhë në skuadër.
“Nuk kam vendosur ende. Të tre këta janë goxha shumë të përfshirë në stërvitje. Kështu që do të marrim një vendim të vonshëm për këtë. Duket premtuese. Në stërvitje kemi shumë lojtarë në dispozicion. Të gjithë janë kthyer, kështu që jo të gjithë do të jenë të përfshirë edhe nëse do të jenë në dispozicion. Kështu është situata”, ka thënë Klopp, përcjell faqja zyrtare e Liverpoolit.
Shaqiri, që kryesisht luan sulmues krahu, po fillon edicionin e tretë te Liverpooli. Në edicionin e parë, në të cilin Liverpooli fitoi Championsin, kontributi i kosovarit ishte i vlerësuar. Në Premier League në 24 paraqitje realizoi gjashtë gola e tri asistime. Vendosi disa ndeshje. Kishte edhe katër paraqitje në Champions dhe dy në garat e kupave.
Në edicionin 2019/2020, Shaqiri u kufizua vetëm në 11 paraqitje gjithsej, kryesisht për shkak të lëndimeve. Kur ishte i gatshëm, vështirë ka përballuar konkurrencën në repartin ofensiv të gjigantit anglez. Në Premier League ka shënuar një gol në shtatë paraqitje.