Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.M. shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale “Mashtrim”.
Gjyqtarja individual i Divizionit Mimoza Shabani, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor fillestar dhe pas pranimit të fajësisë nga i pandehuri për veprën penale si në aktakuzë, të njëjtin e shpalli fajtor dhe gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i pandehuri në afat prej dy vjet nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit nuk kryen vepër penale, si dhe dënim me gjobë në shumë prej dy mijë euro.
Përmes këtij aktgjykimi i pandehuri obligohet që në afat prej 90 ditëve, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, të kompensoj dënim e shkaktuar palëve të dëmtuara dhe atë në shumë të përgjithshme prej 9.900 euro.
I pandehuri akuzohet se nga muaji janar 2021 deri më 27 prill 2021, në një fshat në Ferizaj, duke vepruar në vazhdimësi me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, duke u prezantuar si pjesëtar i FSK-ës dhe duke u paraqitur në mënyrë mashtruese si person qe ka mundësi të ndihmoj në shërimin e B.S. dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për ti shkaktuar dëm material te dëmtuarave V.S dhe B.S., i mashtron të njëjtat duke u premtuar se do të ju siguroj fonde për mjekimin e të dëmtuarës B.S.
Dhe e vazhdon lajthimin në atë mënyrë që duke ju paraqitur fatura, kinse të një spitali privat, ju thotë se është shtyrë operimi i të dëmtuarës për shkak të shpenzimeve shtesë, dhe për këtë e nxit të dëmtuarën të jap para në vlerë të përgjithshme prej 9,900 euro për shpenzime të ndryshme dhe pastaj duke i gënjyer se operacioni mund të kryhet në Kosovë e jo në Turqi apo Shqipëri, siç ju kishte thënë në fillim të dëmtuarave, me ç’rast i ka dërguar të njëjtat ne një motel në Prizren qe te presin thirrjen e një doktori nga Tirana dhe i njëjti më nuk është paraqitur.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.