Maqedonia e Veriut tashmë një vit është anëtare e NATO-s.
Nga Këshilli Veri-Atlantik në Shkup, thonë se pandemia e koronavirusit ka ndikuar që ky vend të fitoj siguri por jo të shijoj privilegjet ekonomike përmes rritjes së investimeve të huaja, ashtu siç ndodhi me shtetet e tjera pas anëtarësimit në NATO.
Megjithatë Maqedonia e Veriut është ndihmuar nga NATO veçanërisht në luftën kundër lajmeve të rreme, si sfida më e madhe e kohës.
Me rastin e një vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, komandanti i Forcave të përbashkëta të NATO-s për Evropë, Admirali Robert Burk, ka theksuar se NATO-ja mendon rreth lehtësimit të furnizimit me vaksina në vende të ndryshme.
“Për këtë flasim në nivel politik dhe ushtarak, ka shumë mekanizma që ekzistojnë kundrejt përpjekjeve kombëtare”, ka theksuar Admirali Burk në pyetjen e gazetarëve nëse NATO-ja do të përfshihet në ndihmimin Maqedonisë së Veriut, për të siguruar vaksina kundër koronavirusit.
Admirali Burk gjatë konferencës për media në Shkup, tha se ekzistojnë më shumë opsione që të lehtësohet furnizimi me vaksinat kundër koronavirusit, megjithëse ende nuk dihet se cila vaksinë do të zgjidhet.
Ndërkohë autoritetet zyrtare të vendit, kanë theksuar se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, garanton të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve në aspektin e sigurisë, pasi si anëtare e Aleancës Veri-Atlantike realizon bashkëpunim të ngushtë në drejtim të ballafaqimit me sidat e kohës .
“Maqedonia e Veriut mbetet e gatshme të vazhdojë me reforma në dikasterin e mbrojtjes dhe modernizimin e ushtrisë, në pajtueshmëri me të gjitha standardet e NATO-s, të cilat njëkohësisht mundësojnë që shteti t’i projektojë dhe mbrojë interesat e saja vitale nacionale dhe ta përforcojë pozitën gjeopolitike dhe gjeostrategjike” ka theksuar presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski.
Kryetari i Këshillit Veri-Atlantik në Maqedoninë e Veriu, Ismet Ramadani tha për Radion Evropa e Lirë, që si anëtar të Aleancës Veri-Atlantike, brenda këtij viti ka arritur të garantoj aspektin e sigurisë së shtetit, të rris kapacitetet ushtarake si dhe të transformoj ushtrinë në përputhje me standardet që kërkohen nga NATO, megjithëse nënvizon se pandemia ka pamundësuar realizimin e të gjitha pritjeve.
“Duhet të jemi koshient se në çdo segment, pritjet kanë qenë shumë më të mëdha pas anëtarësimit në NATO për Maqedoninë e Veriut. Mirëpo, duhet të kemi parasysh se po kalojmë një periudhë ku të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me rezultate të dukshme në këtë drejtim, po i mbulon pandemia e cila pra ka shkaktuar shumë pasoja që reflektohen edhe në shtetin tonë”, vlerëson Ismet Ramadani, Kryetar i Këshillit Veri-Atlantik në Maqedoninë e Veriut.
Analizat ekonomike tregojnë se të gjitha shtetet pas anëtarësimit në NATO, kanë përjetuar kthesë të dukshme në aspektin e rritjes së investimeve të huaja, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik të tyre.
Në këtë drejtim Zoran Ivanovski ligjërues në fakultetin e ekonomisë në kuadër të Universiteti të Shkupit për Radion Evropa e Lirë, thotë se Maqedonia e Veriut nuk arriti t’i shijoj përfitimet e anëtarësimit të vendit në NATO, në aspektin ekonomik, si rrjedhojë e krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Ivanovski thotë se efektet e anëtarësimit të vendit në Aleancën Veri-Atlantike do t’i gëzoj pasi të stabilizohet gjendja ekonomike në nivel botëror, përkatësisht pasi të vendoset nëm kontrollë kriza e pandemisë.
“Vlerësoj se efektin e vërtetë nga aftësimi i vendit tonë në NATO, duhet ta presim pasi të kaloj pandemia, pasi që nuk mund t’i trajtojmë në mënyre reale efektet përkatësisht përfitimet që shteti ynë ka ose mund t’i kishte si anëtare e NATO-s”, thotë Ivanovski.
Ndërkaq, Afrodita Musliu nga organizata joqeveritare Koncepti Qytetar NEXUS, për Radion Evropa e Lirë, thotë se Maqedonia e Veriut tashmë si aleate e NATO-s, është ndihmuar në menaxhimin e krizës së pandemisë, në aspektin e pajisjeve mjekësore dhe veçanërisht kontribut të veçantë, NATO-ja ka dhënë me përvojën e saj në luftën kundër lajmeve të rrejshme në mënyrë sa më efikase.
“Lajmet e rrejshme kanë paraqitur sfidë të madhe për vendin veçanërisht pasi u bëmë vend anëtar i NATO-s.”
Për Aleancën Veri-Atlantike, kjo sfidë nuk është e re dhe lirisht mund të themi se kjo dukuri, është e pranishme me dekada, megjithatë u dëshmua se kjo ajo mbetet shumë e rrezikshme gjatë krizës së pandemisë së COVID 19”, thekson Musliu.