Edhe një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes historike të Prespës mes Shkupit dhe Athinës, vlerësimet mes blloqeve politike në vend dhe në Greqi mbeten kontradiktore.
Kryeministri Zoran Zaev vlerëson se përfitimet nga marrëveshja janë të mëdha. Këto komente ai i bëri në trajnimin ushtarak në Krivollak.
“Sot, 17 qershori, një vit nga Prespa, fillimisht fituam një mik të ri. Jo që me Greqinë kemi pasur ndonjë armiqësi serioze por vërtetë ndjenja ishte e keqe, e shëmtuar, kurse kishim ngecur në proceset tona integruese. Ja, pas një viti, përfitimet e para i shohim të përfshira edhe në këtë trajnim, në përgatitjen tonë, për anëtarësim të plotë në NATO pas disa muajsh. Ky është një qëllim i madh strategjik i vendin tonë, i gjithë rajonit, i Maqedonisë së Veriut e cila jo para disa shekujsh por para 17-18 vitesh kishte konflikt. Kjo nënkupton paqe afatgjate, stabilitet dhe siguri.”- theksoi Zoran Zaev, kryeministër, shkruan Alsat-M.
Për VMRO-DPMNE-në opozitare, nuk janë përmbushur premtimet mbi të cilat u realizua marrëveshja, duke pasur parasysh se vendi akoma nuk ka marrë datë për anëatërsim në BE. Kjo parti vazhdon ta konsiderojë marrëveshjen nënçmuese.
“Një vit pas nënshkrimit të asaj marrëveshje kapituluese me pranimin e kushteve greke ndaj Republikës së Maqedonisë kemi përsëri një vend i cili nuk mori datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, kemi popull të nënçmuar, kemi tradita të fshira, emër dhe mbiemër të fshirë, kemi shtet të shpërfytyruar, institucione të shpërfytyruara dhe popull i cili dëshiron sa më shpejtë të ikë nga ky shtet i udhëhequr nga Zoran Zaev. Këto janë të ashtuquajturat përfitime të Marrëveshjes së Prespës.”- u shpreh Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Partia e kryeministrit grek Aleksis Cipras gjatë ditës nuk ka bërë asnjë koment për një vjetorin e marrëveshjes me Prespës. Ndërkohë, ish ministri i Jashtëm grek Nikos Kocias i cili dha dorëheqje disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes ka publikuar një fotografi me homologun e tij vendas Nikolla Dimitrov me të cilën shënon 1 vjetorin.
Marrëveshja u nënshkrua më 17 qershor të vitit 2018 nga dy ministrat e Jashtëm Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias dhe i vendosi fund kontestit disadekadësh mes dy vendeve duke zgjidhur çështjen e emrit.
Me ndryshime kushtetuese, vendi pranoi emrin Maqedonia e Veriut në këmbin të heqjes së vetos greke për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.