Me 16 janar të vitit të kaluar, në veri të Mitrovicës ishte vrarë politikani serb, Oliver Ivanoviq. Kur janë bërë një vit nga ky rast, tre persona janë arrestuar, të cilët akuzohen për ndihmë në kryerjen e vrasjes, derisa dy të tjerë po mbrohen në liri.
Në lidhje me hetimet që dorasit të dalin para drejtësisë, institucionet në Kosovë kanë pranuar një raport nga Beogradi.
Prokurori special, Sylë Hoxha në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ai raport nuk ka prova konkrete që do të mund të ndikonin në zbardhjen e rastit.
Hoxha ka deklaruar se materiali në fjalë, vështirë se do të ndihmojë në gjetjen e kryerësve të vrasjes.
“Ne kemi pranuar një material nga Serbia, po që shumë pak do të na ndihmojë. E kemi pranuar materialin dhe shkresa të lëndës por që me thanë të na ndihmojë, ndriçojë rastin, apo zgjerimin e hetimeve, apo të na çojë tek ndonjë veprim konkret, nuk po mundem t’i vlerësojë për momentin. Nuk kemi diçka shumë konkrete, apo që do të na ndihmonte në zbardhjen e vrasjes”, ka thënë Hoxha.
Prokurori special ka përmendur dy pengesa, që sipas tij po vështirësojnë punën e organeve të drejtësisë ta zbardhin rastin.
Hoxha është shprehur se dëshmitarët në veri janë të frikësuar, ndërkaq ka kritikuar Beogradin, që nuk ka ofruar materialet e nevojshme për të gjetur autorët.
“Ne i kemi dy pengesa kryesore: dëshmitarët aq janë të frikësuar në pjesën veriore, shumë vështirë deklarohen. Ata haptasi e pranojnë se janë të frikësuar. Dhe e dyta organet e Serbisë nuk kanë qenë të gatshëm të na ndihmojnë me fakte konkrete, për shembull hyrje-daljet, bisedat në telefonin e viktimës, ata i përmendin vetëm disa emra apo numra. I ndjeri ka komunikuar edhe me kryetarin e Serbisë, e ka njoftuar për disa kërcënime dhe shqetësime që i ka pasur. Mirëpo nuk i kemi ato”, është shprehur Hoxha për Telegrafin.
Prokurori Hoxha gjithashtu ka bërë të ditur, se kamerat në zyrën e Oliver Ivanoviqit nuk kanë punuar deri në momentin kur ka përfunduar vrasja.
Ai ka theksuar se për këtë janë disa të dyshuar, të cilët po hetohen.
“Është e vërtetë kamerat në zyrën e tij e kemi të vërtetuar, që pas vrasjes janë aktivizu. Edhe për atë punë disa njerëz janë duke u hetuar, pse nuk kanë punuar dhe pse janë aktivizuar bash në kohën kur është kryer vrasja”, ka përfunduar Sylë Hoxha.
Në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit, në fundin e vitit të kaluar Policia kishte ndërmarrë një aksion ku kishte arrestuar katër persona.
Në atë aksion Policia nuk kishte arritur të arrestonte edhe Milan Radojiçiqin, që është nga Prokuroria është i dyshuar për përfshirje në këtë akt.
Ditë më parë në një konferencë për media, presidenti Thaçi ishte shprehur se “vrasësit e Ivanoviqit janë në Beograd”.