Njëri nga të arrestuarit për vrasjen e presidentit të Haitit ka qenë informator i DEA-s amerikane

Prishtinë | 13 Kor 2021 | 10:33 | Nga Ekonomia Online

Një nga burrat haitiano-amerikanë të arrestuar nën dyshimin për pjesëmarrje në vrasjen e presidentit të Haitit javën e kaluar kishte qenë informator i Administratës për luftimin e trafikut dhe shpërndarjes së drogës në SHBA, tha të hënën një zyrtar i DEA.

Autoritetet haitiane javën e kaluar arrestuan dy burra haitiano-amerikanë, Joseph Vincent, 55 vjeç dhe James Solages, 35 vjeç, dhe i akuzuan ata për pjesëmarrjen e tyre me 26 kolumbianë në sulmin fatal ndaj presidentit haitian Jovenel Moise.

Sidoqoftë, sipas Reuters, përcjell Telegrafi, zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, nuk pranoi të tregonte se cili nga dy burrat kishte qenë informator.

“Një nga të dyshuarit për vrasjen e presidentit Jovenel Moise ishte një burim konfidencial i DEA”, citohet të ketë thënë zyrtari i DEA në një email, duke shtuar se i dyshuari kishte arritur deri tek DEA pas vrasjes dhe se ajo e nxiti atë të dorëzohej.

Megjithatë, siç ka shtuar ai, “këta individë nuk po vepronin në emër të DEA”.

Por siç është thënë më tej, i dyshuari nuk ishte një informator aktiv në kohën e vrasjes, tha një burim i zbatimit të ligjit.

Ndryshe, shkruajnë mediat e huaja, një amerikan i tretë haitian, Christian Emmanuel Sanon, u arrestua të dielën nga autoritetet haitiane, të cilët e akuzuan atë si një organizator i sulmit.

Ndërsa autoritetet e zbatimit të ligjit dhe agjencitë e inteligjencës amerikane po hetojnë se pse burrat haitiano-amerikanë mund të kenë marrë pjesë në atentat.

Të ngjashme