Njësia e personelit e Komunës së Gjilanit prej afro 2 vjetësh ka potencuar vështirësitë me të cilat përballet në punë për mungesë të mjeteve teknike, përkatësisht të një fotokopjuesi, ndërsa ka nevojë edhe për një skaner të ri.
Pengesë në punën e tyre është vlerësuar edhe operimi me kompjuterë të cilët datojnë që nga viti 2005 dhe të cilët nuk janë duke e përballur punën me softuer të ndryshëm, të cilat i aplikon Njësia e personelit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Zyrtarët kanë kërkuar nga qeverisja lokale që t’i furnizojë me teknologji në mënyrë që të mos kenë pengesa gjatë procesit të punës.
Njësia e personelit e cila është në kuadër të Komunës së Gjilanit merret me planifikimin, punësimin, menaxhimin e performancës, trajnimin dhe zhvillimin e karrierës së nëpunësve civilë.