Bota ka shikuar e tmerruar sulmet terroriste të 11 shtatorit, 2001, në Shtetet e Bashkuara. Afro 3,000 njerëz kanë humbur jetën pasi që rrëmbyesit kishin përplasur aeroplanët në Kullat Binjake në New York, në Pentagon pranë Uashingtonit dhe në një fushë në Pensilvani.
Radio Evropa e Lirë u ka hedhur një vështrim gjërave që kanë ndryshuar nga sulmet më vdekjeprurëse në tokën amerikane.
Nëntëmbëdhjetë militantë, të lidhur me grupin terrorist Al-Kaida, kanë rrëmbyer katër aeroplanët e përdorur në sulmet e 11 shtatorit.
Themeluesi i Al-Kaidës, Osama bin Laden, ka qenë në Afganistan në atë kohë, nën mbrojtjen e talibanëve – islamistëve që kanë qenë në pushtet qysh në vitin 1996.
Kur talibanët kanë refuzuar ta dorëzojnë atë, Shtetet e Bashkuara dhe forcat aleate kanë pushtuar Afganistanin, duke u zotuar se do të mbështesin demokracinë dhe do të eliminojnë kërcënimin terrorist.
Gati 20 vjet më vonë, më 30 gusht, 2021, Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar tërheqjen e trupave të tyre nga Afganistani, raporton evropaelire.
Dhe, disa ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se “lufta në Afganistan ka përfunduar”, talibanët kanë marrë përsëri kontrollin e këtij vendi.
Sipas një numërimi të BBC-së, prejse ka nisur lufta kundër talibanëve në vitin 2001, mbi 3,500 forca ndërkombëtare në Afganistan janë vrarë, në mesin e tyre mbi 2,300 ushtarë amerikanë. Mbi 20,000 ushtarë të tjerë amerikanë janë plagosur.
Këto shifra nuk krahasohen me jetët e humbura në mesin e civilëve afganë dhe forcave të sigurisë.
Në vitin 2019, presidenti tani i përmbysur i Afganistanit, Ashraf Ghani, ka thënë se mbi 45,000 forca afgane të sigurisë janë vrarë në rreth pesë vjet.
Sa i përket kostos financiare, nuk është e qartë se sa para kanë shpenzuar Shtetet e Bashkuara për Afganistanin dhe luftën. Biden ka thënë së voni se kjo shifër sillet në rreth 2 trilionë dollarë.
Kërcënimi terrorist
Al-Kaida është shumë më e dobët tani sesa në vitin 2001 dhe grupi ekstremist Shteti Islamik (IS) është shumë më i dobët sesa në vitin 2014, kur ka pushtuar pjesë të Sirisë dhe Irakut.
Shtetet e Bashkuara nuk janë goditur nga një sulm tjetër katastrofik, i shkallës së atij të 11 shtatorit. Të dhënat nga Instituti New America tregojnë se 107 amerikanë kanë vdekur në sulmet xhihadiste në tokën amerikane, qysh më 11 shtator, 2001.
Gati gjysma e tyre janë vrarë në një klub nate në Orlando të Floridës, më 2016, nga Omar Mateen, i cili ka shprehur besnikëri ndaj Shtetit Islamik.
Në Evropë, numrat kanë qenë më të lartë. Në vitin 2015, sulmues të Shtetit Islamik kanë vrarë 130 njerëz në sulme të koordinuara në Paris.
Sipas një artikulli të Danyel Bymanit në gazetën Foreign Affairs, gjetkë në botë, përfshirë Afrikën, Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, “grupet xhihadiste janë shumë më aktive sesa kanë qenë para 11 shtatorit”.
“Al-Kaida, mes tjerash, ka prani në Afganistan, Algjeri, Bangladesh, Egjipt, Indi, Iran, Libi, Mali, Pakistan, Arabi Saudite, Somali, Siri, Tunizi, Turqi dhe Jemen. Shteti Islamik është i pranishëm në shumicën e këtyre vendeve, plus Kamerunin, Çadin, Irakun, Mozambikun, Nigerinë dhe Rusinë. Shumë prej këtyre vendeve vuajnë nga luftërat civile, në të cilat grupet xhihadiste janë në mesin e pjesëmarrësve aktivë. Qindra mijëra kanë vdekur në këto konflikte”, ka shkruar Byman.
Sipas një sondazhi nga Qendra Kërkimore Pew, njëzet vjet pas 11 shtatorit, numri i amerikanëve që e shohin terrorizmin si një problem të madh kombëtar, ka rënë ndjeshëm.
Sipas këtij sondazhi, shqetësimet më të mëdha për amerikanët tani janë: ekonomia, pandemia COVID-19 dhe racizmi.
Në një sondazh të kryer nga USA Today dhe Universiteti Suffolk, të anketuarit e kanë cilësuar pandeminë COVID-19 si një sfidë më të rrezikshme për vendin, sesa sulmet terroriste të vitit 2001.
Por, me një diferencë më të madhe se kurrë, 60 për qind e të anketarve – krahasuar me 38 për qind – kanë thënë se 11 shtatori u ka ndryshuar jetën amerikanëve përgjithmonë.
Kanë kaluar më shumë se 10 vjet qëkur Osama bin Laden, themeluesi i Al-Kaidës, është vrarë nga forcat speciale amerikane në Abotabad të Pakistanit, por askush nuk është dënuar për ndihmën që i ka ofruar atij në kryerjen e sulmit. Vetëm një person – Zacarias Moussaoui – është deklaruar fajtor dhe është dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjyqi i organizatorit të dyshuar të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Mohammed, do të rifillojë edhe një herë pas një sërë vonesash.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka njoftuar se FBI, së voni, ka mbyllur një pjesë të hetimeve të saj të sulmeve dhe se po shqyrton disa dokumente të klasifikuara prej kohësh, për të përcaktuar nëse ato mund të zbulohen.
Më 3 shtator, Biden ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për deklasifikimin e disa dokumenteve të lidhura me 11 shtatorin, që pritet të publikohen gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Kjo ka ardhur pas presionit nga familjet e viktimave që kërkojnë të dinë nëse Arabia Saudite i ka ndihmuar rrëmbyesit e aeroplanëve.
Danny Gonzalez, ish-agjent i FBI-së që ka punuar në operacionin e hetimeve, ka thënë për CBS News se është i sigurt se dy nga rrëmbyesit kanë pasur një rrjet mbështetës, me bazë në SHBA.
“Nëntëmbëdhjetë rrëmbyes nuk mund të kryejnë 3,000 vrasje vetë”, ka thënë Gonzalez në intervistën e tij të parë televizive në lidhje me hetimet.
Familjet e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit akuzojnë Arabinë Saudite. Sauditët mohojnë përfshirjen zyrtare. Raporti i Komisionit të 11 Shtatorit nuk ka gjetur asnjë lidhje midis tyre. Pesëmbëdhjetë nga 19 rrëmbyesit kanë qenë sauditë, ashtu si edhe Bin Laden.
Më 11 shtator, 2001, pasi aeroplani i parë ka goditur Qendrën Botërore të Tregtisë, njerëzit janë lidhur kryesisht me televizorët e tyre – ose duke dëgjuar radio – për të marrë lajmet më të fundit rreth sulmeve.
Sot, këto dy media po mbeten mënjanë. Lajmet përhapen shpejt përmes faqeve të internetit, platformave të mediave sociale, thirrjeve telefonike dhe tekst-mesazheve.
Heqja e rripit, këpucëve, zbrazja e xhepave… të gjitha janë bërë pjesë e normave të reja të sigurisë pas 11 shtatorit, 2001.
Gjërat që mund të përdoren si armë, janë ndaluar.
Lëngjet janë kufizuar, pasi disa prej tyre mund të përdoren për bërjen e bombës.
Rregullat e reja kanë shkaktuar linja më të gjata njerëzish në aeroporte. Ata duhet të arrijnë më herët atje, për t’i kapur fluturimet.