Shqiptarët e Kosovës tashmë e kanë përfaqësuar veten aq mirë në botë, saqë viteve të fundit kanë qenë ndër emrat më të përfolur për sukseset e tyre në fusha të ndryshme të artit.
Dhe të gjithë emrat që kanë bërë tituj jashtë trojeve shqiptare bartin pas vetes prejardhjen, duke u ndjerë kështu krenarë që vijnë nga një vend i vogël, por me vlera të mëdha.
Edhe pse janë larguar me një qëllim, apo nuk kanë jetuar fare këtu, të njëjtit kanë arritur ta ruajnë autenticitetin e vendit dhe ta shpalosin atë siç është më së miri si një stil i veçantë në atë që zhvillojnë.
Ndër emrat e rinj që është bërë prezentë së fundmi në faqet rozë dhe që vlen të ceket është grimerja e re nga Kosova, Lyra Kryeziu, e cila tash e disa vite ka nisur karrierën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa i ka dhënë vlera edhe më të mëdha origjinës me krijimtarinë e saj unike.
Ajo vjen në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, për të rrëfyer më shumë rreth jetës së saj përtej Oqeanit Atlantik, karrierës si grimere në njërin prej salloneve më të mëdha në Washington DC “Karma by ErWin Gomez”, eksperiencën e saj me yjet e Hollywoodit, e shumëçka tjetër.
Lyra Kryeziu
Lyra, ju jeni me prejardhje nga Kosova por që katër vite jetoni në Washington DC, na tregoni pak më shumë rreth rrugëtimit tuaj përtej Oqeanit Atlantik?
Pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar në Kosovë, respektivisht në Prishtinë. Para pak vitesh vendosa ta ndjek profesionin dhe ëndrrën përtej Oqeanit, edhe pse nuk është e lehtë të jesh larg vendit tënd dhe familjes, megjithatë vendosa që ta provojë fatin në SHBA, ashtu siç e kam paramenduar gjithnjë. Kam përfunduar shkollën për estetikë dhe Make-Up në Washington DC, dhe kam kryer trajnime të ndryshme, relevante për fushën e estetikës dhe bukurisë.
Kur keni filluar të punoni si ‘Make-Up artist’, si lindi interesimi për makijazh?
Meqenëse jam rritur në një frymë dhe ambient artistik – për arsye se vijë nga një familje që kryesisht merret me art – mua gjithnjë më ka pëlqyer vizatimi, përmes të cilit e kam zbuluar kureshtjen për Make-Up.
Ndërkohë, si ndodhi hapi i parë drejt suksesit, dhe si arrite të depërtosh në një vend aq të madh?
Nuk thuhet rastësisht se Amerika është vendi i mundësive dhe i ëndrrave. Gjatë kohës sa isha në studime, vazhdimisht po kërkoja punë në fushën e estetikës. Një ditë, kalova pranë njërit prej salloneve me të famshme në washington DC (Karma by ErWin Gomez) dhe vendosa ta provoja fatin. Fatmirësisht, më pranuan dhe tash e katër vite jam pjesë e një ekipi profesional dhe të jashtëzakonshëm.
Grimerja Lyra Kryeziu dhe aktorja Jane Fona
Ju tanimë punoni edhe me yje të Hollywoodit si: Jane Fonda, Chelsea Handler,Vanessa Williams, Whitney Cummings, na zbulo më shumë se si erdhi deri te bashkëpunimi me to?
Falë angazhimit dhe përkushtimit të përditshëm në punë, pronarët e sallonit -ku njeri prej tyre është Make-Up artist me renome dhe përvojë disa dekadëshe- filluan të mi besojnë klientët e profilit të lartë. Përveç yjeve të Hollywoodit, kam pasur rastin të përkujdesëm për dukjen e personaliteteve me ndikim në politikë, si p.sh: Nancy Polosi , Camala Harris , Gabby Giffords etj. Me të gjithë ka qene një eksperiencë e jashtëzakonshme
Vite më parë, ju jeni kujdesur edhe për grimin e Luis Fonsi, si ndihesh kur punon me artistë të mëdhenj?
Për dukjen e Luis Fonsit – këngëtarin e super hitit ‘Despasito’ – jam përkujdesur me rastin e eventit ‘Hispanic Heritage Awards’ ku performoi dhe u dekorua me çmimin ‘’Artisti më Inovativ i Amerikës Latine’’. Ne këtë rast, gjëja që më së shumti me la përshtypje ishte modestia e tij. Pavarësisht se a punojë me artistë të mëdhenj apo klientë të rëndomtë, procesi i punës ma sjell të njëjtën kënaqësi. Gjithsesi, është nderë dhe përgjegjësi e madhe të punojë për yje të Hollywoodit dhe fytyra tjera publike.
Po, grimeret në Kosovë i ndiqni, çfarë mendimi keni dhe kë prej tyre vlerëson më shumë?
Në përgjithësi Kosova ka shumë artistë të talentuar në industrinë e bukurisë , veçanërisht të Make Up-it. Gjithmonë janë ne hap me kohën, dhe shumë prej tyre janë afirmuar ndërkombëtarisht.Të gjithë i vlerësoj, sepse si Make Up-artista , të gjithë kemi stil të veçantë dhe dallohemi për kreativitetin unik që e kemi.
Grimerja Lyra Kryeziu dhe ylli i “Despacito”, Luis Fonsi
Cilat janë gabimet më të mëdha që femrat bëjnë gjatë aplikimit të grimit, çfarë sugjeroni ju?
Zakonisht gabimet më të shpeshta janë tek mos-përgatitja e lëkurës para se ta fillojmë aplikimin e makijazhit. Hidratimi i fytyrës me krema adekuate që i përshtatën llojit të lëkurës është shumë me rëndësi për një ekzekutim me të mirë të makijazhit. Po ashtu, tjetër problem mund të jetë mos-përshtatja korrekte e nuancës bazë me nuancën e lëkurës si dhe theksimet e tepruara te ndonjë tipari ne fytyre si p.sh; vetullat apo konturat e tepërta të pa shpërndara mirë. Rrjedhimisht, duhet bërë shumë kujdes edhe në kombinimin e ngjyrave…
Përveç si grimere, me çka merreni aktualisht, si është një ditë e zakonshme e juaja?
Përveç makijazhit, një pjesë e madhe e punës sime përmban edhe shërbimet për trajtimin e lëkurës me aparaturat me te përsosura si microdermabrasion, peeling , dizajni/rregullimi i vetullave , lakimi i qerpikëve etj. Një ditë e imja karakterizohet me orë të gjata pune, ndër tjerash, kohën e kalojë edhe në fitness pasi që është edhe pasion i imi.
Grimerja Lyra Kryeziu dhe aktorja Chelsea Handler
Planet e juaja për të ardhmen, çfarë presim nga Lyra në vazhdim?
Planet e mija për të ardhmen janë që të vazhdoj t’i përkushtohem në maksimum profesionit tim, në mënyrë që te krijoj brendin tim, çoftë si Make Up artiste apo diçka në lidhje me kozmetikë.
Mesazhi i juaj për gjithë ata që ju ndjekin, e posaçërisht për të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin profesionin tuaj?
Gjithmonë ti ndjekin ëndrrat dhe synimet me shumë përkushtim dhe punë te palodhshme, deri sa te arrijnë atë që vërtet duan.